Futboll

Kupa e Shqipërisë/ Luhen sot dy çerekfinalet e para, Tirana përballë Kastriotit

Gazeta Si – Kampionati ia la vendin këtë mesjavë Kupës së Shqipërisë, që luan ndeshjet e para çerekfinale të saj. Në fushë zbret sot Tirana, që përballet me Kastriotin, ndërsa Egnatia pret Laçin.

Tirana ka sot mundësinë të lërë pas humbjen 0-2 me Teutën në kampionat në një ndeshje të lehtë në letër. Krutanët mbajnë vendin e fundit në Superiore dhe janë kundërshtari më i lehtë për kryeqytetasit në këtë fazë të kompeticionit.

Tirana duke festuar nje fitore ne Kupe. Gazeta Si, 28 shkurt 2023

Ndeshja tjetër që luhet sot është ajo mes Egnatias dhe Laçit, një duel i barabartë ndoshta, por rrogozhinasit mund të kenë avantazhin e fushës. Laçi është një ekspert i Kupës së Shqipërisë, aq më tepër që nga kampionati e ka të vështirë të shkojë në Europë.

Dy ndeshjet e tjera çerekfinale luhen nesër. Ato janë Kukësi-Teuta dhe Partizani-Vllaznia. Pa dyshim, kjo e fundit është sfida më e madhe e Kupës, pasi ndeshjen dy nga skuadrat më të mira, që gjithashtu luftojnë edhe për titullin kampion në Superiore.

Dy ndeshjet e sotme luhen në orën 13:00, ndërsa ndeshjet e kthimit zhvillohen pas dy javësh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë