Gazeta Si – Empoli nuk mundi t’i bëjë dot ballë Napolit kryesues, që fitoi 0-2 dhe tani ka shkuar në +18 pikë nga vendi i dytë, duke marrë arratinë. Ardian Ismajli luajti nga minuta e parë ndaj kryesuesve të Serisë A dhe u bë protagonist, por në sensin negativ.
Futbollisti kuqezi shkaktoi një autogol, duke qenë i pafat në devijimin e topit drejt rrjetës, pas krosit të Zelinskit. Ismajli nuk mundi ta mbulonte si duhet sulmuesin Viktor Osimhen, ashtu si shumica e kolegëve të tij në kampionatin italian.

Mbrojtësi i Empolit është vlerësuar me notën 5 nga shtypi sportiv italian për paraqitjen në këtë 90-minutësh. Titullar në këtë ndeshje ishte sigurisht edhe Amir Rrahmani, një nga pikat më të forta të Napolit. Futbollisti kosovar po shkon i sigurt drejt titullit kampion në Serinë A me Napolin e papërmbajtshëm.

Pavarësisht paraqitjes së sotme, për Ismajlin ka rëndësi që po luan rregullisht si më parë, pas rikthimit nga dëmtimi. Ai pritet të jetë një lojtar kyç edhe në formacionin e trajnerit Silvinjo për eliminatoret e Euro 2024.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




