Nga Gazeta ‘SI’- Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, nga vizita e saj në Japoni theksoi se është domosdoshmëri rritja e eksporteve bujqësore me Japoninë dhe një marrëveshje për rritjen e kuotave të tonit që Shqipëria eksporton atje.
Ajo shtoi se qeveria shqiptare i ka kërkuar homologes së saj në Japoni, të hiqen tarifat e dyfishta, që aktualisht Japonia aplikon.
“2022 shënoi një vit me rezultate konkrete të bashkëpunimit me Japoninë, ku ne nisëm eksportin e një produkti të rëndësishëm, siç është ai i peshkut ton. Një nga pikat e diskutimit tim, ka qenë që ne, të marrim edhe mbështetjen e Japonisë për rritjen e kuotave të eksportit të tonit, pasi Shqipëria ka tashmë infrastrukturë dhe kapacitete për të shtuar prodhimin, nëpërmjet fermave të akuakulturës që operojnë me standardet e kërkuara dhe mjaft të larta që ka Japonia”, tha ministrja Krifca.
Ministrja tregoi se disa biznese vendosën kontrata të reja me biznesin japonez në fushën e bujqësisë.
Takimi mes ministrave Krifca dhe homologut të saj Katsumata Tataaki u zhvillua në kuadër të vizitës zyrtare që një delegacion i qeverisë shqiptare me në krye Kryeministrin Edi Rama po zhvillon në Japoni, në kuadër të 42-vjetorit të vendosjes zyrtare të Marrëdhënieve Diplomatike mes dy vendeve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.