Lajme

Nesër varrimi i Kaçifas, Bashkia e Dropullit paguan shpenzimet

Pasditen e kësaj të mërkure pritet të mbërrijë trupi i Kostandinos Kacifas në Bularat. Ndërsa, varrimi pritet të mbahet ditën e nesërme paradite.  

Ndërkohë, Bashkia e Dropullit në një mbledhje jashtë radhe ka marrë vendimin për të paguar të gjitha shpenzimet financiare për ceremoninë e varrimit në Bularat të minoritarit grek.

Vendimi i bashkisë është bërë i ditur nga nënkryetari i Bashkisë Dropull, Mihal Mano. Sipas tij vendimi është marrë me motivacionin se familja është e varfër dhe ngjarja është e ndjeshme për komunitetin e minoritarëve në jug të Shqipërisë.

Nënkryetari i Bashkisë së Dropullit, Mihal Mano foli për mbështetjen që bashkia ka ofruar për familjen.

“Në mbledhjen jashtë radhe të Bashkisë së Dropullit folën të gjithë këshilltarët e bashkisë. Njëzëri, si minoritet grek vendosëm të qëndrojmë në lartësinë e situatës e të mbajmë një qëndrim për ngjarjen e ndodhur. Vendosëm që të paguajmë zyrtarisht shpenzimet e varrimit. Mbajtëm një minutë heshtjeje. Siç e dini do të mbështesim edhe me foni zhvillimin e ceremonisë mortore. Një këngëtar epirot do të jetë pjesë e ceremonisë, që do të shoqërohet me këngë dhe vajtime sipas traditës”, tha Mihal Mano.

Pritet që nesër në ceremoninë  e varrimit të jenë të pranishëm mbi 2 mijë grekë.

Policia shqiptare ka marrë paraprakisht të gjitha masat dhe do të monitorojë situatën gjatë ceremonisë mortore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë