Futboll

Di Maria merr për dore Juventusin në Europë, kualifikohet edhe Hysaj me Lacion

Gazeta Si – Juventusi kalon në 1/8-t e Ligës së Europës, duke mundur 0-3 Nantën në ndeshjen e kthimit. Pas atij barazimi 1-1 në ndeshjen e parë, skuadra e Alegrit diktoi ndeshjen në Francë me një protagonist të vetëm, Angel Di Marian.

Në stadiumin ‘Beaujoire’ argjentinasi shënoi të tre golat për Juventusin në një mbrëmje shou për të. “Fideo” e zhbllokoi rezultatin që në minutën e 5-të me një gjuajtje të kalibruar me hark. Më pas fitoi një penallti, që e ktheu vetë në gol, madje duke nxjerrë mbrojtësin Pallois me karton të kuq.

Në pjesën e dytë Di Maria shënoi edhe golin e tretë, duke ‘vulosur’ kualifikimin e Juventusit në Ligën e Europës. Një hap i rëndësishëm ky në një moment mjaft delikat për klubin bardhezi.

Është kualifikuar edhe Lacio në Ligën e Konferencës, pas barazimit 0-0 në fushën e rumunëve të Kluzh. Ndeshja e parë kishte përfunduar me fitoren 1-0 të skuadrës së Elseid Hysaj, 90 minuta në fushë në ndeshjen e sotme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë