Futboll

Lukaku është kthyer, Interi mund Porton me golin e belgut në minutat e fundit

Gazeta Si – Romelu Lukaku po kthehet në kohët e tij më të mira. Sulmuesi belg i dha fitoren Interit në ndeshjen e parë të 1/8-ve të Championsit ndaj Portos. Ai realizoi një gol me peshë në një ndeshje të komplikuar, që u duk se po shkonte drejt barazimit. Interi shkon tani me një 1-0 që e favorizon jo pak në kthim ndaj portugezëve.

Gjatë pjesës së parë rastet për shënim ishin të pakta. Grujiç për portugezët u ndal nga portieri Onana, po ashtu edhe Bastonit iu mohua goli në fundin e kësaj pjese nga portieri Diogo Kosta.

Fillimi i pjesës së dytë ishte më i pasur me raste. Barela tentoi të shënonte me një gjuajtje të befasishme, më pas portugezët rrezikuan me Taremin dhe Zaidu, por në të dy rastet ishte Onana ai që nuk lejoi prekjen e rrjetës.

Porto mbeti me 10 vetë 12 minuta para fundit të ndeshjes, pasi Otavio u ndëshkua me karton të kuq. Romelu Lukaku, i aktivizuar në pjesën e dytë nga trajneri Inzagi, gjeti golin që i dha fitoren Interit kur kishin mbetur edhe 4 minuta nga koha e rregullt. Belgu goditi fillimisht shtyllën pas një devijimi me kokë dhe pastaj e dërgoi topin në rrjetë.

Nuk munguan momentet e nervozizmit mes lojtarëve të dy skuadrave, por edhe atyre të së njëjtës skuadër. Lojtarët e Interit sulmuan Otavion e Portos për mungesë fair-play. Në një moment tjetër, portieri Onana pati një debat verbal me Xhekon, që nuk u shpëtoi kamerave.

Mançester Siti nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 në fushën e Lajpcigut. Rijad Mahrez kaloi anglezët në avantazh në pjesën e parë, kurse për gjermanët shënoi kroati Gvardiol golin e barazimit. Interesant është fakti se Guardiola nuk bëri asnjë zëvendësim në këtë ndeshje, ndryshe nga kolegu i tij te Lajpcigu, që bëri 5 ndërrime.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë