Gazeta Si – Holandezi, dy herë kampion bote, ka formuar skuadrën e tij ideale, duke zgjedhur dy pilotë që garojnë aktualisht. Gjithsesi, ai ka pohuar se nuk i intereson aspak të bëhet ‘team principal’.
Piloti holandez i Red Bull-it nuk e ëndërron rolin e drejtuesit të skuadrës. E ka thënë në një intervistë për Cnn: “Dua të bëj gjëra të tjera në jetë. Të drejtoj një skuadër në Formula 1 nuk është fare në projektet e mia”.

Por kjo nuk e pengon kampionin të imagjinojë formacionin e tij ideal, që përbëhet nga pilotë që janë në aktivitet. “E kam shumë të vështirë të zgjedh dy, sepse ka shumë pilotë të mirë. Megjithatë, do të doja një me eksperiencë dhe këtu zgjedh Fernando Alonson.
Pastaj do të merrja një koleg të ri dhe këtu do të zgjidhja Lando Norris”, – është shprehur Vershtapen. Një dyshe e veçantë kjo që ai ka zgjedhur, e përbërë nga dy talente që po përjetojnë momente të ndryshme. Spanjolli, 41 vjeç, shpreson të kthehet në majat e F.1, ndërsa 23-vjeçari britanik synon fitoren e parë në karrierë.
Maks Vershtapen ka snobuar ndërkohë dy nga rivalët e tij të mëdhenj, Ljuis Hemilton të Mercedesit dhe Sharl Leklerk të Ferrarit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




