Ka ndodhur

Inceneratori i Fierit, arrestohet në Gjermani 30-vjeçari i kërkuar nga SPAK

Gazeta Si – Silvester Driza, i shpallur në kërkim nga SPAK për aferën e inceneratorit të Fierit, është vënë në pranga nga autoritetet gjermane në Frajburg, ndërsa pritet ekstradimi i tij në Shqipëri.

30-vjeçari dyshohet se në vitin 2017 ka themeluar një shoqëri fiktive me fushë veprimtarie trajtimin e integruar të inerteve dhe ka lëshuar fatura me çmime të larta, deri në fund të vitit 2018, kur i është miratuar leja ligjore për të kryer ketë veprimtari.

Emri i tij u përmend në nëntor të vitit të shkuar, kur SPAK lëshoi 11 urdhër arreste të reja për inceneratorin e Fierit. Mes tyre Driza përcaktohet si administrator i firmës Sili SHPK, i cili kishte marrë pjesë në këtë skemë.

Sipas dosjes së SPAK, transaksionet e kryera bashkë me dy kompani të tjera, janë fiktive dhe janë krijuar posaçërisht për të mbuluar natyrën e vërtetë të këtyre transaksioneve.

Kompanitë me administrator Juri Imeraj dhe Silvestër Driza kanë të njëjtën adresë, në Durrës. Në dosje thuhet se asnjë nga shoqëritë nuk ka pasur kapitalin e nevojshëm dhe numrin e punonjëseve për të kryer punimet sipas faturave që kanë deklaruar. Faturat e lëshuara nga tre shoqëritë janë të firmosura nga i njëjti person, sipas akt-ekspertimit grafik të kryer nga specialistët.

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë