Gazeta Si – Ka nisur keq Botërori 2023 për pilotin e Aston Martin, Lens Stroll, ose më mirë do të fillojë me vonesë për kanadezin. Ai ka qenë viktimë e një incidenti, teksa stërvitej me biçikletë në Spanjë.
Stroll ka marrë disa plagë, që sipas skuderisë britanike, nuk e lejojnë të jetë në pistë bashkë me Fernando Alonson në testet para Botërorit, që do të zhvillohen nga e enjtja e 23 shkurtit deri më 25 shkurt në Sakhir. Piloti i ka qetësuar tifozët se gjendja e tij shëndetësore është e mirë.
Për debutimin në timonin e AMR23, që u prezantua një javë më parë, skuderia ka bërë me dije se do të ketë një vlerësim të përditshëm të gjendjes së Stroll, para se të merret vendimi, nëse do të jetë në garën e parë të Botërorit në Bahrein apo jo.

“Për fat të keq, pata një incident me biçikletë në stërvitje në prag të sezonit të ri. Do të kthehem shpejt, mezi pres të drejtoj makinën në Botëror. Jam i motivuar për ta lënë sa më parë pas krahëve këtë problem”, – ka shkruar 24-vjeçari nga Montreali në rrjetet sociale.
Aston Martin ka dy pilotë rezervë, Stofel Vandorne dhe Felipe Drugoviç. Piloti belg, kampion në fuqi i Formula E, është i impenjuar të premten dhe të shtunën në raundin e 5-të të Botërorit elektrik. Ky mund të jetë një rast i mirë për të riun brazilian, kampion në fuqi i Formula 2.
Nëse Lens Stroll nuk ia del edhe për garën e parë zyrtare të Botërorit, është logjike që kandidati kryesor për të marrë vendin e tij është më eksperti, Vandorne. Nuk përjashtohet edhe mundësia që të hauzohet tek Aston Martin nga Mercedesi Mik Shumaker, që ka mbi shpatulla një sezon të tërë garash.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




