Drejtësia

Holta Zaçaj zgjidhet kryetare e Gjykatës Kushtetuese në raundin e tretë të votimit

Gazeta Si – Holta Zaçaj është zgjedhur këtë të hënë kryetare e Gjykatës Kushtetuese në raundin e tretë të votimit.

Në garë ishin 3 kandidate, Fiona Papajorgji, Marjana Semini dhe Holta Zaçaj.

Zaçaj mori 5 vota nga 9 anëtarët.

Javën e kaluar, Kushtetuesja regjistroi dy raunde të dështuara të zgjedhjes me votë të kryetarit të ri.

Në përballjen e parë mes kandidateve, Fiona Papajorgji, Marjana Semini dhe Holta Zaçaj, asnjë prej tyre nuk mundi të marrë 5 vota, që është numri minimal i kërkuar nga ligji për zgjedhjen e kryetarit.

Raundi i dytë i votimit, i mbajtur të premten, nuk dha rezultat, madje, votat u ndanë në mënyrë të barabartë.

Për këtë shkak, Mbledhja e Gjyqtarëve të Kushtetueses caktoi 20 shkurtin për një raund të tretë votimi, mundësia e fundit që ligji jep për zgjedhjen e kreut të ri përmes votimit të fshehtë.

Zaçaj ishte anëtarja e fundit që iu bashkua Gjykatë Kushtetuese duke e plotësuar me 9 anëtarë me mandat të plotë. Më 16 janar, ishte Gjykata e Lartë që zgjodhi Holta Zaçajn si përfaqësuesen e vet në Gjykatën Kushtetuese.

Sipas nenit 7 të ligjit për Gjykatën Kushtetuese, Zaçaj ka një mandat 3 vjeçar me të drejtë rizgjedhje një herë.

Pas votimit të sotëm, fituesja e garës njofton Presidentin e Republikës për rezultatin e votimit dhe më pas sipas procedurave ligjore merr detyrën për drejtimin e gjykatës. Këtë funksion deri pak muaj më parë e ushtroi Vitore Tusha, e cila përfundoi mandatin e saj.

Vitore Tusha qëndroi në detyrë gati pesë vite përtej mandatit kushtetues dhe për dy vite ishte e vetmja anëtare e “mbijetuar” nga vettingu në drejtësi, njëkohësisht personi që mbajti hapur derën e institucionit.

PËRBËRJA E GJYKATËS KUSHTETUESE

1. Marsida Xhaferllari, anëtare

2. Dr. Fiona Papajorgji, anëtare

3. Dr. Elsa Toska, anëtare

4. Sonila Bejtja, anëtare

5. Dr. Sandër Beci, anëtar

6. Ilir Toska, anëtar

7. Gent Ibrahimi, anëtar

8. Prof. Dr. Marjana Semini, anëtare

9. Holta Zaçaj, Kryetare


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë