Futboll

Interi bën ‘nxemjen’ para Portos, mund Udinezen dhe ruan distancën me Milanin

Gazeta Si – Lovriç iu përgjigj përkohësisht penalltisë së Lukakut. Në pjesën e dytë menduan Mkhitarian dhe Lautaro Martinez për golat e fitores, që e mban Interin të shkëputur nga Milani i vendit të tretë. Porto është e paralajmëruar në Champions.

Interi mundi 3-1 Udinezen në ndeshjen e javës së 23-të të Serisë A, duke u ngjitur në kuotën e 47 pikëve në klasifikim. Zikaltrit iu përgjigjën Milanit, që pak orë më parë kishte fituar 0-1 në fushën e Moncës, falë golit të Mesias.

Romelu Lukaku gjeti më në fund golin, që i mungonte që nga java e parë e kampionatit. Ai shënoi me një penallti të akorduar me VAR, që e gjuajti dy herë. Udineze barazoi me një kundërsulm të finalizuar nga Lovriç në fund të pjesës së parë. Mikhitarian me një të djathtë të bukur fluturimthi dhe Lautaro Martinez në fund firmosën fitoren 3-1 të Interit.

Skuadra e Inzagit e merr menjëherë veten pas barazimit me Sampdorian dhe bën kështu ‘nxemjen’ për ndeshjen e parë me Porton për 1/8-at e Ligës së Kampionëve. Kjo ndeshje luhet ditën e martë. Munguan këtë herë minutat për Kristjan Asllanin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë