Futboll

Një kandidat luksi për kombëtaren amerikane, Tierri Henri i ‘shkel syrin’

Gazeta Si – Tierri Henri ishte shumë afër stolit të Belgjikës, pas largimit të Roberto Martinez, kurse tani është shumë afër stolit të kombëtares amerikane të futbollit. Ai është gati të zërë vendin e Greg Berhalter në krye të SHBA-ve.

“Roberto Martinez ka nënshkruar për Portugalinë dhe unë nuk do ta ndjek atje. Nuk dua më të jem zëvendëstrajner. Natyrisht, kam shumë respekt për të, më ka dhënë një mundësi kur askush nuk po e bënte. Tani dua të kem një mundësi tjetër”, – ka thënë ish-sulmuesi i njohur francez i Arsenalit, Barcelonës dhe disa klubeve të tjera.

Tierri Henri. Gazeta Si, 17 shkurt 2023

Henri ka hapur kështu rrugën për një kontratë të mundshme me SHBA-të, që më parë kërkuan një tjetër francez, Zinedin Zidan, por ky i fundit nuk pranoi. Edhe Henri është një kandidat luksi për kombëtaren amerikane.

Gjatë ditëve në vazhdim pritet të ketë të reja për një bashkëpunim të mundshëm mes ish-sulmuesit dhe drejtuesve të Federatës Amerikane të Futbollit. Henri ka luajtur në fundin e karrierës në MLS dhe e njeh mirë futbollin në këtë vend.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë