Futboll

Financial Times zbulon miliarderin që kërkon Totenhemin, ofron 4.25 miliardë euro

Gazeta Si – Sipas të përditshmes britanike, iraniano-amerikani Jahm Najafi, aksioner në minorancë i Phoenix Suns në NBA, është gati të ofrojë 4.25 miliardë euro për klubin anglez.

Jo vetëm Mançester Junanjtid dhe Liverpuli. ‘Financial Times’ zbulon se edhe Totenhemi mund të ndryshojë pronësi, me miliarderin iraniano-amerikan Jahm Najafi që ka gati ofertën e 4.25 miliardë eurove. Nuk ka ende asnjë hap konkret me pronarët aktualë, Joe Lewis e Daniel Levy, por Najafi po punon me ‘MSP Sports Capital’ dhe një grup investitorësh për të bërë ofertën zyrtare.

Jahm Najafi. Gazeta Si, 15 shkurt 2023

Sipas ‘Financial Times’, Najafi ka kërkuar edhe bashkëpunimin e investitorëve të tjerë të botës arabe, në veçanti nga Abu Dhabi. Ata do të mbulonin 30% të çmimit, kurse ai vetë pjesën kryesore. Miliarderi është gati të japë 3.38 miliardë euro, kurse 870 milionë të tjera janë të nevojshme për të larë borxhin që ka klubi.

Totenhemi është pronar edhe i stadiumit të vet, që mban emrin e skuadrës dhe që në të kaluarën kishte ngjallur interesin e Google për një sponsorizim. Sipas vlerësimit të fundit të Forbes, Totenhemi vlente 2.2 miliardë euro, por stadiumi në pronësi dhe fakti që është një nga klubet më të rëndësishëm të Premier Ligës, e bëjnë investimin vërtet joshës.

Asnjë koment zyrtar nga Totenhemi për këtë çështje. Kohët e fundit ka pasur zëra se Lewis dhe Levy kishin folur me një fond nga Katari për hyrjen e mundshme në klub me një kuotë në minorancë. Ndaj kësaj ideje tifozët kishin reaguar negativisht.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë