Gazeta Si – Ka dështuar raundi i parë i votimeve për zgjedhjen e kreut të Gjykatës Kushtetuese. Siç njoftohet, pas prezantimit të platformave dhe vizioneve të kandidateve, Fiona Papajorgji, Marjana Semini dhe Holta Zaçaj, u vijua më tej me raundin e parë të votimit.
Në përfundim të këtij procesi asnjë nga kandidatet nuk mori shumicën ligjore prej të paktën 5 votash.
Kështu, mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese ka vendosur të zhvillojë raundin e dytë të votimit më 17 shkurt, ora 10:00.
Kryetari/Kryetarja i/e Gjykatës Kushtetuese zgjidhet me votim të fshehtë, me shumicën e votave të të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës Kushtuese, për një periudhë 3-vjeçare me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.
Seanca për zgjedhjen e Kryetarit drejtohet nga gjyqtari më i vjetër në detyrë.
Në rast se ka më shumë se një kandidat dhe gjatë votimit asnjë prej tyre nuk merr shumicën e parashikuar të votave, bëhet një votim i ri dhe pas këtij, vijohet me votimin mes kandidatëve që kanë marrë numrin më të madh të votave.
Në përfundim të këtij votimi shpallet i zgjedhur kandidati që ka marrë shumicën e votave.
Në rast se asnjë nga kandidatët nuk ka marrë shumicën e votave ose votat janë ndarë në mënyrë të barabartë, Kryetari/ja caktohet me short.
Procedura e zhvillimit të shortit parashikohet me vendim të Mbledhjes së Gjyqtarëve. Kryetari i zgjedhur njofton Presidentin e Republikës dhe Kryetarin e Kuvendit.
Sakaq, Gjykata Kushtetuese për herë të parë që nga nisja e Reformës në Drejtësi, u plotësua me 9 anëtarë me mandat të plotë në 16 janar të këtij viti.
Pas zgjedhjes së Marjana Seminit nga Kuvendi fundin e vitit të shkuar, para një muaji, edhe Gjykata e Lartë zgjodhi Holta Zaçajn si përfaqësuesen e vetë në Gjykatën Kushtetuese.
Zaçaj zëvendësoi në këtë detyrë zv.kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tushen, e cila ka qëndruar jashtë mandatit të saj që prej vitit 2017.
PËRBËRJA E GJYKATËS KUSHTETUESE
1. Marsida Xhaferllari, anëtare
2. Dr. Fiona Papajorgji, anëtare
3. Dr. Elsa Toska, anëtare
4. Sonila Bejtja, anëtare
5. Dr. Sandër Beci, anëtar
6. Ilir Toska, anëtar
7. Gent Ibrahimi, anëtar
8. Prof. Dr. Marjana Semini, anëtare
9. LL.M. Holta Zaçaj, anëtare
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




