Një propozim për të ndaluar TikTok në Shtetet e Bashkuara “duhet të shqyrtohet”, sipas senatorit amerikan Chuck Schumer.
“Ne e dimë se një kompani kineze e zotëron TikTok dhe prandaj ka disa ekspertë që po shqyrtojnë mundësinë për ta ndaluar platformën në Amerikë”, thotë Schumer.
Ligjvënësit amerikanë thonë se kanë futur legjislacionin e ri që synon të ndalojë TikTok të operojë në Shtetet e Bashkuara, përveç nëse ndërpret lidhjet me pronarin e tij aktual.
TikTok është në pronësi të ByteDance, një nga kompanitë private më të mëdha në Kinë.
Zyrtarët amerikanë kanë ngritur shqetësime se Kina mund të përdorë ligjet e saj për të ushtruar presion ndaj TikTok ose ByteDance për të dorëzuar të dhënat e përdoruesve amerikanë që mund të përdoren për qëllime të këqija ose dezinformimi.
Këto shqetësime kanë shtyrë qeverinë amerikane të ndalojë TikTok nga pajisjet zyrtare dhe më shumë se gjysma e shteteve amerikane kanë marrë masa të ngjashme, sipas një analize të CNN.
TikTok më parë i ka kundërshtuar pretendimet, duke thënë se nuk ndan informacion me qeverinë kineze dhe se një ekip sigurie në SHBA vendos se kush mund të ketë qasje në të dhënat e përdoruesve të SHBA.
Drejtori ekzekutiv i TikTok nga Singapori, Shou Zi Chew, do të dëshmojë para Kongresit në mars, mbi tema që përfshijnë privatësinë dhe praktikat e sigurisë së të dhënave të TikTok, ndikimin e tij te përdoruesit e rinj dhe “marrëdhënien e tij me Partinë Komuniste Kineze”, sipas një deklarate të komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



