Gazeta Si – Liga e Kampionëve rikthehet sot në mbrëmje me ndeshjet e para të fazës së 1/8-ave. Spikat dueli i big-ëve mes PSG-së dhe Bajernit të Mynihut, ndërsa Milani pret Totenhemin e Kontes.
Francezët duket se luajtën blofin me dëmtimin e Kilian Mbape, i cili pritet të zbresë në fushë sot, bashkë me Mesin dhe Nejmarin. Trajneri gjerman, Nagelsman, duket se kishte të drejtë kur thoshte se nuk e besonte mungesën e Mbapesë për shkak dëmtimi.
Bavarezët do të kenë shumë mungesa në sfidën e sotme. Dhe bëhet fjalë për emra, si Nojer, Lukas Hernandez, Mane dhe Mazraui. Në majën e sulmit do të jetë Çuopo Moting, i mbështetur nga Myler, Musiala dhe Koman.

Milani mungon në këtë fazë të Championsit prej 3262 ditësh. Skuadra e Piolit do të provojë sot të bëjë goditjen për të qenë më e sigurt për ndeshjen e kthimit në Londër, duke shfrytëzuar emergjencën e anglezëve, të cilët vijnë në Milano pa tre titullarë. Kuqezinjtë duhet të tregojnë se e kanë kaluar periudhën e krizës.
Tomori është rikuperuar dhe Milani pritet të luajë me skemën 3-4-2-1. Ka një balotazh për krahun e djathtë mes Kalabrias dhe Saelemaekers. Në sulm konfirmohet treshja e përbërë nga Diaz dhe Leao pas Zhiru. Benaser nuk është ende gati dhe në krah të Tonali do të luajë sërish Kruniç.
Është një rast për të thyer tabunë Totenhem, me të cilin Milani ka një bilanc negativ me 2 barazime dhe 2 humbje në 4 përballje. Anglezët kanë probleme në mesfushë, ku mungojnë Bentankur dhe Hojberg.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




