Futboll

Interi nervoz ngec ndaj Sampdorias, Lukaku përplaset me Barelën

Gazeta Si – Në ‘Marassi’ Interi nuk shkoi më shumë se barazimi 0-0. Skuadra e Inzagit u përplas kundër mbrojtjes së Sampdorias dhe tashmë mbetet -15 nga Napoli. Në shtesë Açerbi goditi traversën, ndërkohë që pati edhe tension mes Lukakut dhe Barelës.

Interi nuk arriti ta çajë murin e Sampdorias dhe ngadalëson hapin në javën e 22- të Serisë A. Pas këtij barazimi zikaltrit ndjejnë afër në renditje Atalantën, Romën dhe Milanin. Ishte një mbrëmje e komplikuar për zikaltrit, pak të kthjellët para portës kundërshtare.

Interi kishte zotërimin e topit, por pa mundur të rrezikonte seriozisht në pjesën e parë. Në pjesën e dytë një rast të mirë kishte Çalhanoglu, por skuadra e Stankoviç u mbrojt mirë dhe në shtesë pati edhe fatin me vete, sepse e shpëtoi traversa pas një goditjeje të Açerbit.

Në pjesën e parë, saktësisht në minutën e 38-të, pati një moment nervozizmi mes Lukakut dhe Barelës. Belgu gaboi në një kontroll topi dhe Barela shfaqi hapur pakënaqësinë e tij me duar. Sulmuesi reagoi dhe iu drejtua shokut të skuadrës: “Mjaft, mjaft! Nuk bëhet kështu”. Lukaku tha edhe fjalë të tjera, duke e sulmuar rëndë Barelën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë