Lajme

Tronditet Durrësi, vritet për hakmarrje miku i Shullazit

Të paktën 10 persona janë shoqëruar nga policia e Durrësit pas vrasjes së mikut të Emiljano Shullazit, Edison Harizaj 39 vjeç si dhe plagosjes së mikut të tij Genci Caci, 33 vjeç. Vrasja tipike mafioze tronditi Durrwsin mbrëmjen e djeshme.

Viktima dhe i plagosuri u gjetën brenda një makine tip Audi në zonën e plazhit. Pak minuta më vonë, u gjet dhe një makinë e djegur në varrezat e Shën Vlashit, për të cilën autoritetet besojnë se ka lidhje me ngjarjen.

Nga atentati, viktima është identifikuar me emrin Edison Harizaj, 39 vjeç nga qyteti i Vlorës, ndërsa i plagosuri, Genci Caci 33 vjeç, në gjendje të rëndë për jetën. Harizaj, i cili ishte edhe miku i Emiljano Shullazit. Ngjarja ndodhi nw lagjen 13 të Durrësit, teksa ai dhe shoku i tij Caca po udhëtonin nga Tirana në drejtim të Vlorës.

Edison Harizaj nuk është një emër i panjohur për policinë. Ai dyshohet se ka kryer një sërë krimesh, përfshi dhe ekzekutimin e gjyqtarit Skerdilajd Konomi.

Si ndodhi ngjarja

Edison Harizaj ishte duke udhëtuar nga Tirana drejt Vlorës, kur i është bërë pritë nga dy persona në lagjen nr. 13 në Durrës. Ndaj makinës “AUDI” ku udhëtonte Harizaj bashkë me mikun e tij, është qëlluar me breshëri kallashnikovi. Vendi ku autorët ekzekutuan mikun e Shullazit nuk ka ndriçim, ndërsa më pas u larguan në sens të kundërt të autostradës. Autorët pas atentatit kanë shkuar në zonën e Shën Vlashit të Durrësit dhe kanë djegur makinën me të cilën kryen vrasjen, e cila ishte e vjedhur, më pas u larguan me një tjetër makinë për të humbur gjurmët.

Viktima e këtij atentati Edison Harizaj dyshohet se është ekzekutuar për hakmarrje, pasi ka qenë i përfshirë në zhdukjen e Albano Xhaferrit në Vlorë. Harizaj ka qenë i skeduar si i përfshirë edhe për disa ngjarje kriminale në vend. Ngjarja e rëndë në Durrës, ka bërë që drejt qytetit bregdetar të niset RENEA. Pika kontrolli janë ngritur në Tiranë, Fushë-Krujë dhe Kavajë.

Ndwrkohw, dëshmitarët kanë treguar tmerrin që kanë përjetuar në shtëpitë e tyre si pasojë e breshërisë së plumbave mbrëmë në Durrës, ku mbeti i vrarë miku i Emiljano Shullazit, 39-vjecari Edison Harizaj si dhe u plagos shoku i tij, Genci Caci, 33 vjeç.

Një dëshmitare që ka shtëpinë në rrugën e njohur si “Rruga e Çamëve”,  aty ku ndodhi edhe atentati ka treguar momentet e tmerrit që ka përjetuar bashkë me djalin e saj.

Dëshmitarja thotë se kur kanë dëgjuar breshërinë  e kallashnikovit kanë fikur dritën nga frika.

“Ishte ora rreth 11:00. Ne ishim ulur në divan në shtëpi me djalin dhe po bisedonim. Dëgjuam breshëri kallashnikovi. Fikëm dritën për momentin. I thashë djalit çfarë bëhet kështu. Djali më tha se ka filani kallash mos qëllon ai. Pasi fikëm dritat, djali hipi lart dhe më tha se e paskan vrarë një person. Nuk dolëm fare se kishim frikë se nga vijë  plumbat në oborr. Pas 5 minutash erdhi policia. Djali hipi në tarracë dhe po shikonte. Makina e autorëve mori kthesën dhe iku me shpejtësi”, ka rrëfyer gruaja. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë