Futboll

Vllaznia hap garën e titullit, Tirana konteston penalltinë e fitores së shkodranëve

Gazeta Si – ‘Klasikja’ e futbollit shqiptar shkon për Vllazninë, që zbukuron garën e titutllit, duke e ngushtuar në 3 pikë diferencën me Tiranën kryesuese. Tifozët shkodranë kishin mbushur stadiumin, ndërsa niveli i lojës në fushë nuk u ngjit aty ku pritej. Goli i vetëm erdhi nga një penallti e fituar nga Balaj dhe e kontestuar nga Tirana.

Pjesa e parë ishte e varfër me raste. Tirana pati më shumë iniciativë, por nuk mundi të krijonte mundësi shënimi të pastra në portën e Vllaznisë. Shkodranët iu afruan golit vetëm në një moment, kur topi u devijua nga Najdovski drejt portës së tij, por Bekaj shmangu autogolin.

Nga ndeshja Vllaznia-Tirana, 1-0. Gazeta Si, 12 shkurt 2023

Ndeshja u zhbllokua papritur në pjesën e dytë. Arbitri Enea Jorgji akordoi një penallti për Vllaznisë pas një kontakti mes Balajt dhe Behiraçes në zonë. Tirana e kontestoi fort vendimin e tij dhe në dukje faulli ishte i lehtë, megjithatë asgjë nuk ndryshoi. Herald Marku mposhti Bekajn nga pika e bardhë.

Trajneri Orges Shehi bëri menjëherë disa lëvizje nga stoli, duke kërkuar barazimin e rezultatit. Në fushë u futën të rinjtë Nikqi dhe Qefalija. Edhe Josa mori masat, duke aktivizuar Latifin e më pas Krujën, Kainën dhe Boshnjakun.

Shkodranët ia dolën ta ruanin avantazhin deri në fund dhe tashmë e shohin veten vetëm 3 pikë pas Tiranës (37 dhe 34 pikë).

Ndeshja tjetër e luajtur sot mes Erzenit dhe Teutës u mbyll në barazim, 1-1. Kallaku shënoi me penallti për Teutën në fillim, ndërsa për Erzenin barazoi Leao në minutat e fundit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë