Futboll

Berat Gjimshiti po rikthehet në nivelin më të mirë, buzëqesh Silvinjo

Gazeta Si – Nëse sulm po shkëlqen Myrto Uzuni, në mbrojtje është Berat Gjimshiti lojtari i momentit për Kombëtaren shqiptare, kur jemi vetëm disa javë para ndeshjes së parë eliminatore të Euro 2024 me Poloninë.

Mbrojtësi i Atalantës po rikthehet në nivelin e mëparshëm. Ai e ka marrë veten plotësisht nga periudha e vështirë që kaloi nga dëmtimi dhe pastaj nga qëndrimi në stol për pak ndeshje. Në fitoren 0-2 ndaj Lacios Gjimshiti ishte në fushë nga minuta e parë.

Gjimshiti feston me shoket golin e Xapakostes ndaj Lacios. Gazeta Si, 12 shkurt 2023

Mbrojtësi kuqezi u pozicionua në qendër të mbrojtjes me 3 lojtarë të Gasperinit. Shtypi italian e ka vlerësuar me notën 6 për paraqitjen e bërë në këtë ndeshje, ku fitorja e ngjiti Atalantën në vend të tretë, me pikë të barabarta me Milanin dhe Romën.

Forma e mirë e Gjimshitit është diçka pozitive për trajnerin Silvinjo. Ai shpreson të rikuperojë edhe Ismajlin para ndeshjes me Poloninë, në mënyrë që të ketë sa më shumë ‘armë’ për të përballuar Levandovskin me shokë. Kumbulla po vuan në këtë moment, ndaj dhe rikthimi i Gjimshitit është mjaft pozitiv.

Titullar në ndeshjen Lacio-Atalanta ishte edhe Elseid Hysaj, i zëvendësuar në pjesën e dytë. Shkodrani u vlerësua me notën 5, por nuk ishte më i dobëti për skuadrën e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë