Futboll

Vllaznia-Tirana, një ‘Klasike’ me aromë titulli sot në ‘Loro Boriçi’

Gazeta Si – Ajo që tashmë të gjithë e quajnë ‘Klasikja e Shqipërisë’, këtë herë vjen ndryshe. Tirana dhe Vllaznia përballen sot në kryeqytet në një 90-minutësh me aromë titulli. Tirana kryesuese synon shkëputjen, kurse Vllaznia e vendit të dytë rihapjen e garës, duke iu afruar rivalit direkt në 3 pikë.

Balaj i Vllaznise dhe Bekaj i Tiranes ne Shtepine e te Moshuarve Firdeus. Gazeta Si, 12 shkurt 2023

Është një ‘Klasike’ që edhe ka nisur ndryshe në fakt. Ka një organizim të veçantë këtë herë, të karakterit social. Drejtuesit e Vllaznisë kanë vendosur që të ardhurat e kësaj ndeshjeje të shkojnë si ndihmë për të prekurit nga tërmeti në Turqi dhe Siri. Po ashtu, disa lojtarë të të dyja skuadrave kanë shërbyer ushqimin në Shtëpinë e të Moshuarve Firdeus.

Gjeste simbolike domethënëse. Tifozët shkodranë ndërkohë e kanë bërë të vetën, duke i shkuar skuadrës së zemrës në hotelin ku ajo është grumbulluar, për t’i dhënë kurajë para kësaj sfide mjaft të rëndësishme.

Dhe sot, në orën 16:00, në stadiumin ‘Loro Boriçi’, fjalën e kanë dy skuadrat për të kompletuar spektaklin në fushën e blertë. Sigurisht, kryeqyetetasit kanë avantazhin psikologjik, pasi janë 6 pikë para, por për ta ka shumë rëndësi ta ruajnë këtë diferencë. Shkodranët duan të japin sinjalin e fortë se edhe ata janë kandidatë të fortë për titullin kampion në Superiore.

Trajneri Mirel Josa ka mungesa në mbrojtje. Liridon Latifi është kthyer por nuk mendohet të jetë në fushë nga minuta e parë, kurse Bekim Balaj është ende në kërkim të golit të parë kuqeblu pas rikthimit të Vllaznia.

Mungesa ka edhe trajneri i Tiranës, Orges Shehi, por në sulm, ku mund të luajë i riu Nikqi. Hasani ka pasur probleme, por në kampin bardheblu kanë shpresa për ta rikuperuar në momentin e fundit.

Për javën e 21-të të Superiores luhet sot edhe derbi Teuta-Erzeni. Kjo javë mbyllet nesër me ndeshjen Bylis-Partizani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë