Drejtësia

Kallëzoi abuzimet në rrugën Tiranë-Elbasan, Damian Gjiknuri në SPAK: Një ndër aferat më abuzive

Gazeta Si – Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri dha shpjegime për rreth 30 minuta mëngjesin e kësaj të premteje në SPAK, ku dëshmoi në cilësinë e personit që ka dijeni për çështjen e abuzimeve të ndodhura gjatë zbatimit të projektit të rrugës Tiranë-Elbasan.

Në një deklaratë për mediat para ambienteve të SPAK, Gjiknuri tha se është pyetur për rolin e tij si ministër. Shkurtimisht ai u shpreh se është abuzuar me ndërtimin e rrugës duke mos dhënë më shumë detaje pasi çështja është ende nën hetim.

“Fola për rolin tim si ministër, si person që kam dijeni për abuzimet e projektit të rrugës Tiranë-Durrës. Një ndër aferat më të mëdha që kanë ndodhur ndonjëherë në rrugët e Shqipërisë. Është një rrugë që ishte planifikuar të ndërtohej me 240 milionë euro ndërkohë që përfundoi me kosto 400 milionë euro”, deklaroi deputeti socialist.

Gjiknuri, në kohën kur ishte Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë kallëzoi në prokurori abuzimet e konstatuara nga raporti i auditit të kryer për zbatimin e këtij projekti dhe përgjegjësitë e ish-drejtuesve të ARRSH.

Ai urdhëroi auditin dhe dorëzoi kallëzimin në dhjetor të vitit 2017. Gjiknuri po jep sot sërish shpjegime për këtë çështje pas pafajësisë që morën ish-zyrtarët e kallëzuar.

Asokohe, në cilësinë e ministrit të Transporteve, Gjiknuri iu drejtua me një kallëzim kryeprokurores së përkohshme Arta Marku.

Pas një muaji nga ky kallëzim, prokurorja e çështjes Elisabeta Imeraj urdhëroi arrestimin e tre ish-zyrtarëve të Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Ish-drejtori Dashamir Xhika dhe dy ish-drejtorët e menaxhimit të projektit të rrugës Tiranë-Elbasan, Albens Alite dhe Aksel Qurduka.

Ish-drejtori i ARRSH-së Dashamir Xhika dhe ish-zyrtarët e tjerë morën pafajësi në gjykatën Penale, por në vendim thuhej se ishte kryer abuzim dhe duhet të hetohej për të gjetur përgjegjësit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë