Nga Gazeta Si – Mungesa e ngrohjes në shkolla është një problem i përsëritur në vite që duket se nuk po gjen zgjidhje.
Pas deklaratës së djeshme (e mërkurë) të ministres së Arsimit Evis Kushi ku raportonte problematikat e ngrohjes në shkolla, Gazetasi.al u interesua pranë këtij dikasteri për të mësuar se si procedohet me këtë çështje, nëse ka apo jo një plan masash në çdo fillim viti shkollor.
Burime zyrtare nga MAS thonë se kjo situatë është e përsëritur dhe fajin për mungesën e ngrohjes e kanë bashkitë që nuk kanë paguar karburant apo lëndët drusore, sipas kërkesës së shkollave.
Këshilltari i Ministrisë së Arsimit për mediat Shpendi Gjana thotë se ZVA (Zyrat vendore arsimore) pas kërkesës që marrin nga shkollat ia paraqesin bashkive përkatëse dhe këto të fundit duhet të plotësojnë këto kërkesa.
“Edhe për kaldajat që nuk punojnë i takon bashkive të ndërhyjnë pasi është kompetencë e tyre”, thotë Gjana.
Sipas MAS, edhe këtë vit shkollor shkollat kanë raportuar problemet e tyre pranë ZVA dhe këto të fundit në bashki por duket se kanë rënë në vesh të shurdhët.
Por a duhet të jetë kështu?
Raportimi për problemet me ngrohjen në shkolla duke nisur nga Tirana e deri në zonat e thella malore nuk është i ri. Përkundrazi, çdo titullar ministrie e njeh problematikën, e cila rezulton e pazgjidhur me gjithë investimet e bëra në infrastrukturë ku janë instaluar sistemet qendrore të ngrohjes.
Ish-zvministrja e Arsimit në kohën e qeverisjes demokratike Nora Malaj, e kontaktuar nga Gazetasi.al thotë se sipas udhëzimit të ministrit, në çdo fillim viti të ri shkollor, drejtuesit e shkollave raportojë pranë ZVA për problematikat, nevojat për ngrohje, transport për nxënës apo mësues.
“Mesa shoh asgjë s’ka ndryshuar. Me gjithë kërkesat drejtuar bashkive duket që këto të fundit nuk e kanë prioritet shkollën, ngrohjen e transportin. Unë kam propozuar që për ti paraprirë këtyre situatave që penalizojnë direkt fëmijët dhe cilësinë e mësimdhënies, të ngrihet një komision me përfaqësues nga arsimi, bashkia, dhe meteorologë që të parashikojnë nevojat për ngrohje të shkollave”, thotë Malaj.
Por sipas saj, më kryesorja është mbështetja me buxhet që ministria e Arsimit duhet ti japë shkollave.
Duke i hedhur topin bashkive, duket se ministria e Arsimit kërkon të shfajësohet para medias së interesuar dhe prindërve por problemi mbetet aty, i pazgjidhur.
Malaj thotë se do ti propozojë MAS që në diskutimet që do të kenë për buxhetin në fund të vitit, të parashikojë një fond për ngrohjen në shkolla, për të mos pritur që kjo kompetencë ti mbetet vetëm bashkive.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



