Nga Gazeta Si- Disa ditë pasi i gjithë vendi është përfshirë nga temperaturat nën zero, tani kanë filluar të merren masat për të siguruar ngrohjen në disa shkolla ku mungon.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Arsimit, në disa shkolla të zyrave arsimore Dibër dhe Devoll, ku temperaturat janë tepër të ulëta, orët e mësimit janë reduktuar me 10 minuta.
Në 28 shkolla të vendit nuk ka pajisje me sistem ngrohje dhe vetëm ditën e sotme Ministria e Arsimit, nëpërmjet një deklaratë thotë se është kërkuar tek bashkitë përkatëse pajisja me sistem ngrohjeje.
Gjithashtu janë 51 shkolla ku ngrohja bëhet përmes sistemit elektrik por ngarkesa në rrjet ka sjellë vështirësi për ngrohjen optimale të tyre.
Ndërsa në 21 shkolla sistemi i kaldajës ka nevojë për riparime apo furnizim me lëndë djegëse.
“Kemi informuar bashkitë respektive të marrin masa për 51 shkolla ku ka pasur vështirësi në ngrohjen përmes sistemit elektrik dhe në 21 shkolla ku sistemi i kaldajës ka nevojë për riparime”, shkruhet në njoftimin e Ministrisë së Arsimit.
Ngrohja e institucioneve arsimore bëhet në disa mënyra: ngrohje qendrore me kaldajë, kondicionerë, ngrohës me energji elektrike, si dhe sobë me dru ose pelet.
A duhet të mbyllen shkollat ku ka probleme me ngrohjen?
Dy ekspertët e arsimit, Ndriçim Mehmeti dhe Fatmir Vejsiu thonë për Gazetasi.al se në këto kushte, ku ka probleme me ngrohjen nëpër shkolla, ato shkolla duhej të mbylleshin për të mbrojtur fëmijët derisa të normalizohen temperaturat.
“Është diçka që është bërë edhe më parë. Në fshatra të thellë të Kukësit, Dibrës etj janë mbyllur shkolla gjatë ditëve të ftohta”, thotë Mehmeti duke shtuar se bashkë me mbylljen e shkollave, Ministria e Arsimit duhej të njoftonte edhe periudhën kur do të zëvendësoheshin orët e humbura.
Ndërkohë Vejsiu thotë se mësimdhënia dhe mësimnxënia kërkojnë disa kushte paraprake dhe një ndër to është edhe komoditeti këto dy procese, diçka që i ftohti nuk ndihmon aspak.
“Duhej të mbylleshin shkollat derisa të normalizohen temperaturat. Unë po të kisha fëmijë në një shkollë që nuk ka ngrohje, nuk do e dërgoja në shkollë derisa të normalizoheshin temperaturat”, përfundon Vejsiu.
A ndikon temperatura në klasë në mësimin dhe arritjet e nxënësve?
Lidhja midis klasave të ftohta ose të ngrohta dhe mësimit është e dokumentuar mirë përmes shumë studimeve.
Një studim i vitit 2014 tregoi se si temperaturat tepër të ftohta ashtu edhe ato të larta ndikojnë drejtpërdrejt në aftësinë e të mësuarit të nxënësve.
Studiuesit vunë në dukje se kur trupi i nënshtrohet shqetësimit termik, truri i një personi shpërqendrohet nga sinjalet që merr.
Kur fëmijët janë në një mjedis të ftohtë ose të ngrohtë, ruajtja e homeostazës (funksionimit optimal i organizmit) bëhet prioritet i mendjes dhe trupit, duke e bërë më të vështirë përqendrimin në detyrat e shkollës.
Gjithashtu studiuesit thonë se temperaturat çojnë edhe në më shumë sëmundje.
Dhe më shumë sëmundje përkthehen në më shumë mungesa në shkollë, çka ndikon edhe në performancën e nxënësve në shkollë.
Si direkt ashtu edhe indirekt, klasat e ftohta mund të shkaktojnë probleme të mëdha për nxënësit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



