Drejtësia

‘Gërdeci’/ SPAK çon në gjykatë dosjen ndaj Mediut për shpërdorim detyre. Nën hetim edhe për 2 akuza të tjera

Gazeta Si - Dosja hetimore e Gërdecit në ngarkim të Fatmir Mediut është dërguar për gjykim nga SPAK, i cili njofton se ish-ministri i Mbrojtjes akuzohet për “shpërdorim detyre” në lidhje me procesin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve në ambientet e ish “Brigatës së Tankeve” në Gërdec.

SPAK bën me dije se vijojnë hetimet për dy vepra të tjera penale, ku është vendosur ndarja e çështjes për “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë apo i të zgjedhurve vendore” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në lidhje me dosjen "Gërdeci".

Mediu, tashmë i pandehur, akuzohet nga SPAK se në bashkëpunim me funksionarë të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe persona që kanë pasur cilësinë e ushtarakut kuadër komandues, ka nxjerrë disa akte nënligjore në kundërshtim me ligjin.

Në gjykimin e SPAK thuhet se Mediu ka dëmtuar interesat e shtetit dhe ka favorizuar 2 kompanitë, ‘SAC’ dhe ‘Albademil’”.

Sipas SPAK, “i pandehuri Fatmir Mediu, akuzohet se në lidhje me procesin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve që është zhvilluar në ambientet e ish “Brigatës së Tankeve”, në fshatin Gërdec, Bashkia Vorë, në bashkëpunim me funksionarë të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe persona që kanë pasur cilësinë e ushtarakut kuadër komandues, ka nxjerrë disa akte nënligjore në kundërshtim me ligjin dhe V.K.M Nr.138, date 14. 03. 2007 “Për procedurën e trajtimit te armëve, teknikës dhe pajisjeve të forcave të armatosura, të hequra nga armatimi dhe përdorimi, përsa i përket shitjes për çmontim dhe çmilitarizim të një sasie municioni”.

Prokuroria e Posaçme vëren se gjatë hetimeve të këtij procedimi penal, janë kryer gjithashtu veprime të mëtejshme në lidhje me procedurën e shitjes së municioneve luftarake nga Ministria e Mbrojtjes dhe ndërmarrja “MEICO” ndaj shoqërive të huaja “Evdin” ltd, me seli në Qipro dhe “AEY”, me seli në Florida.

Disa ditë më parë, dëshmoi në SPAK edhe Shkëlzen Berisha, i cili mohoi të ketë lidhje me një shkresë dërguar nga ish-ministri i Drejtësisë asokohe Aldo Bumçi për ministrinë e Mbrojtjes, ku mes rreshtave ishte edhe emri i djalit të ish-kryeministrit Sali Berisha.

Shkëlzen Berisha u pyet për bisedat edhe me Fatmir Mediun pas shpërthimit të Gërdecit, por djali i ish-kryeministrit tha se "ka folur për çështje familjare me të" që nuk mund t'i "zbuloj".

Për këtë çështje, në dhjetor 2022 dëshmoi në SPAK edhe Aldo Bumçi, i cili tha se shkresa e publikuar në media për Shkëlzen Berishën është e falsifikuar.

Në këtë shkresë, në cep të saj ishte shkruar me shkrim dore: “Për Shkëlzen Berishën”. Djali i ish-kryeministrit pretendon se kjo është bërë me qëllim që implikonin në tragjedinë e Gërdecit dhe familjen Berisha.

SPAK rihapi çështjen e "Gërdecit" 9 muaj më parë, duke u vënë në lëvizje, pas kërkesës së prindërve të 7 vjeçarit Erison Durdaj, një prej viktimave të shpërthimit. 

Ishte data 15 mars (e shtunë), 2008 rreth orës 12:05, ku si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm në një "fabrikë" për demontimin e armëve humbën jetën të paktën 26 persona, punëtorë të kësaj fabrike “vdekjeje” e fëmijë të zonës.

Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa që shkatërroi 3.000 banesa e biznese. Një “betejë” e gjatë dhe e ashpër po zhvillohet mes familjeve të viktimave, qeverisë dhe drejtësisë, me bazë akuzat e ndërsjellta mes palëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë