Bota

Mbi 11.000 viktima nga tërmeti në Turqi e Siri. Mijëra ndërtesa të shembura, njerëz nën rrënoja

Gazeta Si - Numri i viktimave nga dy tërmetet që goditën Turqinë dhe Sirinë të hënën në mëngjes vazhdon të rritet nga ora në orë. Bilanci zyrtar ka arritur në të paktën 11.000 persona të vdekur, por që është i destinuar të rritet më tej.

Në Turqi, rreth 8.000 trupa u nxorën nga rrënojat, sipas agjencisë turke të ndihmës AFAD, ndërsa rreth 3.000 të vdekur u numëruan në Siri, sipas autoriteteve dhe mjekëve.

Në Turqi, 5775 ndërtesa janë shkatërruar si pasojë e lëkundjeve të fuqishme sizmike, me qindra raportohen edhe në Siri.

Nën rrënoja, në të dy shtetet, vijojnë kërkimet për të mbijetuar, duke qenë në luftë kundër kohës. Grupe ndërkombëtare ndihme nga shumë shtete janë nisur drejt Turqisë dhe Sirisë.

Të paktën 2,769 personel nga 65 shtete ndodhen në zonat e prekura. Në operacione janë angazhuar në total rreth 26,000 persona.

Ndihma — e vështirësuar shumë nga moti i pafavorshëm në shumë prej zonave të prekura nga tërmeti — është ngadalësuar.

Nga poshtë rrënojave, vijnë klithma dhe mesazhe zanore. Disa ende po nxirren të gjallë: si një vajzë e vogël, e lindur nën shtëpinë e saj të shembur, e vetmja e mbijetuar e familjes së saj.

Ndërkohë, një fëmijë 3 vjeçar është shpëtuar nga rrënojat e një ndërtese të shembur nga tërmeti në Turqi.

Pasi kishte kaluar më shumë se 43 orë nën rrënoja, fatmirësisht ekipet e shpëtimit nxorën nga rrënojat 3-vjeçarin Arif Kaan, i cili kishte mbetur i bllokuar nën pllaka betoni dhe armaturë në Kahramanmaras në temperatura nën zero gradë.

Babai i tij, Ertugrul Kisi, shpërtheu në lot pasi pa që Arifi shpëtoi dhe u dërgua me shpejtësi në një ambulancë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë