Drejtësia

Burg për trafikantët e drogës / ‘Koka’ e grupit një grua, mohon përfshirjen e djalit dhe merr përsipër akuzat

Gazeta Si – Gjykata e Tiranës ka caktuar masën “arrest në burg” për 4 persona që ranë në prangat, në kuadër të operacionit “Kutia e Pandorës” të shtunën e kaluar.

Mbi 6 kg kokainë e heroinë u sekuestruan, si dhe shuma të mëdha parash e automjete, teksa u arrestuan Brikena Frakulli, Hortenca Biçaku, Klevi Banushi dhe Artur Kristo.

LEXO EDHE:
Kapen 6 kg kokainë dhe heroinë në Tiranë, grupi kriminal drejtohej nga një grua

Burime paraprake nga seanca, bëjnë të ditur se “koka” e grupit, Brikena Frakulli, mori përsipër të gjithë përgjegjësinë, duke pohuar se djali i saj Klevi Banushi, mes të arrestuarve, ka qenë rastësisht në apartament.

Brikena Frakulli

“Çfarëdo që ka ndodhur me veprimtarinë për të cilën na akuzoni, kam përgjegjësinë unë, të arrestuarit e tjerë nuk kanë lidhje me këtë veprimtari”, tha ndër të tjera Frakulli.

Ajo shtoi se Hortenca Biçaku është dadoja e vajzës saj 4-vjeçari, ndërsa Artur Kristo punonjës i fermës saj, për të cilën nuk dha sqarime të hollësise se çfarë aktiviteti kishte.

Policia ishte informuar në rrugë operative se një grup kriminal shpërndante droga të forta me shumicë dhe me doza në zona të ndryshme në kryeqytet.

Hetimet disajavore zbardhën aktivitetin kriminal dhe rolet përkatëse të anëtarëve të grupit, për të cilat prokuroria thotë se mes të tjerave ka siguruar edhe të dhëna nga përgjimet.

Nga kontrolli i ushtruar në banesat e shtetases Brikena Frakulli dhe Artur Kristo, policia gjeti 6 kilogramë lëndë narkotike heroinë e kokainë, ku një pjesë ishte e ndarë në 1100 doza gati për shitje.

Gjithashtu, u gjetën dhe u sekuestruan 83.555 euro, 420.000 lekë të rinj, 2 automjete, 2 motoçikleta, 3 peshore elektronike dhe 4 aparate celulare.

Prokuroria thotë se kreu i grupit kriminal ishte Brikena Frakulli, e cila siguronte lëndën narkotike në sasi të mëdha dhe më pas furnizonte shpërndarësit në doza më të vogla. 40-vjeçarja rezulton edhe në vitin 2015 e proceduar dhe e dënuar për të njëjtat vepra penale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë