Gazeta Si – Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka liruar nga qelia ish Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Financave, Arlind Gjokutaj, ish vartësin e tij Flamur Hoxhaj, si dhe përmbaruesin ligjor, Alban Rulin.
Togat e zeza kanë pranuar kërkesën e prokurores Arta Marku, e cila kërkoi për tre zyrtarët masën e sigurisë “arrest shtëpie”.
Ata akuzohen se i shkaktuan 1.2 milionë euro buxhetit të shtetit, duke ia kaluar këto para në kundërshtim me ligjin shtetasit Ilir Thana për një pronë që në të vërtetë nuk ishte e tij.
Prokuroria thotë se skema është vënë në jetë nga Thana, i cili ka marrë konsensusin e përmbaruesit gjyqësor Alban Ruli.
Ky i fundit ka marrë përsipër të interpretojë një vendim të vjetër gjyqësor, i cili ishte ekzekutuar në vitin 2015 dhe ka nxjerrë një urdhër të ri ekzekutimi për pronën e rivlerësuar.
Me këtë urdhër, që sipas Prokurorisë është i paligjshëm, përmbaruesi ka kërkuar nga Ministria e Financave të kompensojë Thanën në vlerën e 1.2 milionë Eurove.
Organi i akuzës së kryeqytetit, thotë gjithashtu se Sekretari i Përgjithshëm Arlind Gjokutaj ishte në dijeni të procedurës së parregullt dhe kompensimit të këtij shtetasi, nga një memo e përpiluar në 14 shtator të 2022, por pavarësisht kësaj, është vijuar me ekzekutimin e vendimit për kompensimin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




