Gazeta Si - Pesë të rinjtë e bllokuar në dëborë në Fushë të Zezë, mbi pikën turistike në Razëm, rreth 20 km në rrugë këmbësore, janë shpëtuar.
Burime të sigurta nga FNSH-ja në Shkodër, bënë të ditur se forcat e policisë, kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe kanë kontaktuar 5 të rinjtë.
Ata janë mirë nga gjëndja shëndetësore, me përjashtim të njërit prej tyre që ka shqetësime, por pa rrezik.
Ky i fundit është vënë në barrelë dhe po transportohet në krah nga policia për në Razëm, ku pret autoambulanca, shoqëruar nga shkokët e tij dhe policia.
Besohet se në Razëm ata mund të mbërrijnë nga ora 22.30 minuta. 5 të rinjtë kishin shkuar në Fushë të Zezë per të rrëshqitur me ski, por temperatura e ulët, në kushtet kur dëbora atje është mbi 1 metër trashësi, e vuri në rrezik jetën e tyre, pasi nuk mund ta përballonin kthimin.
Në këto kushte, nisi në orët e pasdrekës operacioni shpëtimit nga forcat e ndërhyrjes së shpejtë Shkoder, policia e Malësisë së Madhe, shërbimi shëndetësor dhe banorët e zonës, operacion i cili rezultoi i suksesshëm, pasi shpëtoi jetën e 5 të rinjve nga Bajza e Kastratit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.