Partia Demokratike njoftoi përmes një deklaratë zyrtare të përcjellë nga zëdhënësja Floriana Garo, se nuk do të njohë marrëveshjen e zhvillimit për projektin turistik të Portit të Durrësit mes qeverisë shqiptare dhe investitorit Muhammed El Alabbar.
“Partia Demokratike, as e njeh dhe as do ta njohë marrëveshjen e nënshkruar sot mes një kryeministri në ikje dhe një përfituesi si Alabari, apo çdokujt tjetër, nga cilado kombësi apo me çfarëdolloj pasaporte e pasurie.
Dalja sot e Ramës për të inauguruar, në këtë ditë të zezë të tij punët e zeza në shpinë të Durrësit dhe Shqipërisë, Marinën e Yahteve të oligarkëve dhe sejmenëve të tyre, është përpjekja e radhës për të mbuluar hetimin e FBI, ku ai është subjekt i cili djeg ata që janë përfshirë në të dhe i lë pa gjumë.
Partia Demokratike dhe opozita e kanë denoncuar këta vjedhje të hapur, duke dërguar ndër të tjera edhe një kërkesë për hetim në Komisionin Europian sa i takon përputhjes së kësaj marrëveshjeje me MSA dhe standardet e BE.
Përgjigja e Komisionerit Varlehy ndaj kërkesës së 21 deputetëve ka qenë e qartë: anulim i grantit të BE dedikuat Portit të Durrësit.
Ky është konteksti i izolimit në të cilin Edi Rama i kryen veprimet e tij. Ai nuk ka mbështetje as për portin, as për amnistinë fiskale, as për pasaportat e arta”, tha Garo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.