Arsim

Kushi: Nxënësit me nota më të larta në maturë se gjatë vitit shkollor. Do të merren masa

Në raportin e maturës shtetërore 2022, Drejtoresha e QSHA (Qendra e Shërbimeve Arsimore) Aurora Balliu tregoi me grafikë edhe një problematikë të maturës shtetërore që është diferenca të konsiderueshme midis mesatares vjetore dhe notës së maturës shtetërore.

Në provimin e Gjuhë Shqipe dhe Letërsi ka një rënie me 3 nota tek 196 nxënës dhe me 4 nota 14 nxënës.

Ndërkohë 856 maturantë kanë marrë 3 nota më shumë në maturës shtetërore, krahasuar me notën gjatë vitit.

Diferenca është akoma më e madhe në Matematikë ku ka një rritje me 3 nota për 1229 maturantë dhe një rritje me 4 nota për 357 nxënës.

Për këtë shqetësim, Ministrja e Arsimit Evis Kushi tha se do të merren masat e para, si për fiktivitetin e notës gjatë vitit apo dhe për keqadministrim të procesit të maturës shtetërore.

“Diferenca e madhe në nota tregon fiktivitet të notës gjatë vitit por edhe për keqadministrim të procesit të maturës shtetërore. Prandaj ne kemi menduar të marrim masa, duke kërkuar edhe ndihmën e bashkive”, tha Kushi duke shtuar se provimet e maturës do të zhvillohen në mjedise më të mëdha që garantojnë siguri më të lartë, që të mos përsëriten shkelje.

Mjediset do të jenë të monitoruar me kamera sigurie me bashkëpunimin e Bashkive për të bërë administrimin e këtyre ambienteve.

Gjithashtu, Kushi tha se mësuesit e përzgjedhur dhe ekspertët që do të hartojnë testet do të izolohen disa ditë në ambientet e QSHA për tu fokusuar në hartimin e testeve, që të jenë të saktë.

Për herë të parë këtë vit, do të ketë edhe teste të veçanta për maturantët me aftësi ndryshe.

Në vendin tonë janë rreth 4200 persona me aftësi ndryshe në shkollat publike dhe jo publike dhe vetëm 10% e tyre mësojnë në shkolla speciale.

Të gjithë ato që do jenë maturantë do ti nënshtrohen një provimi të veçantë, të një shkalle më të lehtë vështirësie.

Kushi tregoi edhe se këtë të hënë mësimi ka filluar normalisht në të gjitha shkollat e vendit, pas një ndërprerje në disa prej tyre për shkak të motit të keq.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë