Gazeta Si - Lirohet nga burgu ish-kryebashkiaku i Lushnjës Fatos Tushe. Në njoftimin zyrtar të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, thuhet se në seancën gjyqësore ndaj Tushes u shua masa e arrestit me burg pasi e ka shlyer dënimin e dhënë nga Gjykata e Shkallë së Parë me 2 vjet e 4 muaj burg në 27 Korrik të 2022-it.
Tushe u arrestua me 6 korrik të vitit 2021 bashkë me ish-vartësit e tij për akuzën e shpërdorimit të detyrës, ndërsa GJKKO i ka rrëzuar disa herë kërkesat e tij për liri.
Fatos Tushe akuzohej për shpërdorim detyre për abuzimet me karburantin dhe lejimin e një ndërtimi pa leje. Tushes, gjithashtu i është ndaluar të angazhohet në funksione publike për 5 vite.
Ai u përfshi në një tender abuziv me fond rreth 24 milionë lekë për rehabilitimin e një kanali ujitës në fshatrat Bishqethëm dhe Bitaj.
Sipas SPAK, ndonëse fituese u shpall kompania ‘Euro Alb’, punimet për rehabilitimin e kanalit vaditës i kreu shoqëria e Ibrahim Lamit, i cili shfaqej shpesh në biseda dhe përgjime, si dhe etiketohet si ‘miku’ i ish kryebashkiakut.
Një tjetër episod kundër ish kryebashkiakut lidhet me një telefonatë në të cilën një banor i kërkon ndihmë, sepse një inspektor i kishte pezulluar ndërtimin e banesës dhe ai i përgjigjet “Thuaji që fola me shefin”.
Ish-kryebashkiaku ka dalë në përgjime edhe teksa abuzon me karburantin e shtetit, duke furnizuar makinat e të njohurve të tij, mes tyre edhe të djalit të një deputeti.
Po ashtu, dyshohet se ai ka ndërhyrë për një banesë që po ndërtohej pa leje, që inspektorët të mos shkonin për kontroll.
Fatos Tushe u shkarkua nga detyra nga një vendim i Këshillit të Ministrave pas aferave korruptive në të cilat ai ishte përfshirë.
Tushe hoqi dorë nga kërkesa në Gjykatën Kushtetuese pas ankimimit për shkarkimin nga detyra që iu bë me vendim qeverie.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.