Gazeta Si – Gara e fundit virtuale 24 orë e Lë Manshit ka pasur probleme të mëdha teknike, me ndërprerje gjatë gjithë kohës. Gara është ndërprerë nga flamuri i kuq dy herë për orë të tëra. Gjithçka është shkaktuar nga sulmet e hakerave në servera, çka bëri që të kishte ndërprerje të shpeshta të linjës.
Nuk ka ndihmuar në këtë aspekt rregullorja, mjaft konfuze dhe që e ka bërë situatën më frustruese për pilotët, siç ka ndodhur me kampionin e botës në F.1, Maks Vershtapen.

Holandezi është një i pasionuar i madh i ‘sim racing’. Ai ka marrë pjesë në eventin e sipërpërmendur dhe ka ndeshur këto probleme, duke dalë jashtë grupit pikërisht për shkak të ndërprerjes së linjës. Vershtapen ka folur me shumë zemërim ndaj organizatorëve.
“Është një fatkeqësi për komunitetin e ‘sim racing’ dhe gjithë brandeve të mëdha e pilotëve të përfshirë. Kjo është hera e parë që e bëjmë. Jam shkëputur nga linja në tre evente nga katër. Mendova se pas së parës ose së dytës do të kishin mësuar, por ishte thjesht një katastrofë”, – ka thënë Vershtapen.
Piloti i Red Bull-it ka kritikuar edhe platfrmën ‘rFactor 2’, të përdorur nga organizatorët për garën. “Organizatorët e Lë Mansh duhet vërtet të mendojnë se çfarë duhet të bëjnë në vazhdim. Me këtë platformë është një palaçollëk. Nuk marr më pjesë dhe është i gjithi faji i paaftësisë suaj. Shpresoj që shumë të ndjekin shembullin tim për të bërë diçka të bukur diku tjetër. Ne pilotët e meritojmë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




