Drejtësia

Gjykata Kushtetuese në ethet e zgjedhjes së kryetarit, në Shqipëri anëtari më i vjetër është 57 vjeç

Gazeta Si - Pas 6 vitesh nga reforma në drejtësi, Gjykata Kushtetuese në Shqipëri do të jetë e plotë me 9 anëtarë.

Emërimi më i fundit ishte i Holta Zaçes nga Gjykata e Lartë, e cila zëvendëson Vitore Tushen, e vetmja që nuk u shkarkua nga Vettingu në drejtësi, e që si zv.kryetare ushtronte dhe detyrën e kryetares së këtij institucioni.

Pas këtij plotësimi, Gjykata Kushtetuese njoftoi këtë të martë se ka nisur procedurën për zgjedhjen e kryetarit.

Sipas ligjit, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese zgjidhet me votim të fshehtë, me shumicën e votave të të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës Kushtuese, për një periudhë 3-vjeçare me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.

Seanca, sipas ligjit, për zgjedhjen e Kryetarit drejtohet nga gjyqtari më i vjetër në detyrë. E sipas përllogaritjes së moshave, ajo pritet të drejtohet nga Marjana Semini si më e vjetra në moshë.

Në rast se ka më shumë se një kandidat dhe gjatë votimit asnjëri prej tyre nuk merr shumicën e parashikuar të votave, bëhet një votim i ri dhe, pas këtij, vijohet me votimin mes kandidatëve që kanë marrë numrin më të madh të votave.

Në përfundim të këtij votimi shpallet i zgjedhur kandidati që ka marrë shumicën e votave.

Në rast se asnjë nga kandidatët nuk ka marrë shumicën e votave ose votat janë ndarë në mënyrë të barabartë, ligji parashikon që Kryetari të caktohet me short.

Gjykata Kushtetuese mund të cilësohet si maja e karrierës së një gjyqtari dhe zakonisht në të bëjnë pjesë anëtarë që kanë përvojë disa vjeçare, si dhe të vjetër në moshë.

Por në Shqipëri kjo gjë e tillë nuk është respektuar si normë. Pas largimit të Tushes, anëtarja më e vjetër është Marjana Semini, 57 vjeçe.

Ndërsa me e reja mund të jetë Holta Zaçe. Gjithashtu ndryshe nga herët e tjera nga 9 anëtarë në këtë gjykata 6 janë femra dhe tre burra.

Historikisht Gjykata Kushtetuese është drejtuar nga burrat, e mund të ndodhë që këtë radhë mund të zgjidhet një grua në krye të këtij institucioni.

9 anëtarët dhe mosha

Marjana Semini 57 vjeçe

Holta Zaçe 47 vjeçe

Marsida Xhaferllari 48 vjeçe

Fiona Papajorgji 47 vjeçe

Elsa Toska     47 vjeçe

Sonila Bejtja  49 vjeçe

Dr. Sandër Beci 48 vjeç

Ilir Toska 53 vjeç

Gent Ibrahimi 53 vjeç


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë