Gazeta Si – Gjykata e Tiranës ka caktuar “arrest me burg” për Fatmir Hoxhën, Alban Rulin dhe Arlind Gjokutajn, dy zyrtarët e Ministrisë së Financave dhe përmbaruesit ligjor, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit 1.2 milionë euro dëm.
Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Arlind Gjokutaj nuk ishte prezent në sallën e gjyqit. Avokati i tij Sokol Hazizaj tha se Gjokutaj ndodhej në spital, pasi kishte shfaqur probleme kardiake. Masa ndaj Gjokutajt u dha pa prezencë, por me prokurë të posaçme të tij.
Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë se Financave Arlind Gjokutaj, drejtori i shërbimeve mbështetëse dhe një përmbarues privat ranë në pranga të mërkurën, pasi akuzohen nga Prokuroria e Tiranës se nëpërmjet shpërdorimit të detyrës i kanë shkaktuar shtetit 1.2 milion euro dëm.
Prokuroria e Tiranës tha në një njoftim zyrtar se këta shtetas kanë shkelur ligjin duke pranuar shpërblimin e shtetasit Ilir Thana, në vlerën e rreth 82.000.000 Lekëve, nga të cilat 50.000.000 Lekë të kaluara në llogarinë e këtij shtetasi, duke e trajtuar si pronar pa qenë në këtë status.
Ata akuzohen nga prokuroria se kompensuan dy herë Thanën për një pronë që nuk ishte e tija dhe që do i shkaktonte buxhetit te shtetit një dëm prej rreth 1,2 milionë Euro.
Bëhet fjalë për privatizimin e një objekti magazine dhe truallin e shitur në vitin 1992 shtetasit Ilir Thana.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.