Lajme

Spaho: Dako duhet të arrestohet pa vonesë për krimin elektoral

Partia Demokratike sërish vijon me akuzat nga kreut të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Edmond Spaho, ditën e sotme në një dalje për mediat nga selia blu ka kërkuar arrestimin një orë e më parë të Vangjush Dakos, pasi faktet e krimit elektoral janë më se të qarta.

“Ka të paktën dy javë që shqiptarët kanë provat e vërtetësisë së denoncimit të Partisë Demokratike, se Vangjush Dako ka bashkëpunuar me bandat e Durrësit, duke i përdorur ato për të blerë vota për pushtetin e tij dhe të Edi Ramës. Përgjimet e dosjes 339 kanë faktuar se Vangjush Dako është në komunikim të vazhdueshëm me bandat para, gjatë dhe pas zgjedhjeve duke shkëmbyer pasuri e pushtet, votat e blera për tepsinë e Edi Ramës. Faktet e krimit elektoral të Vangjush Dakos janë të qarta dhe për këtë krim ai duhet të jetë në burg. Deri tani janë publikuar vetëm 3 përgjime që janë maja e ajsbergut e provave që Vangjush Dako e qeveris Durrësin me bandat më të rrezikshme, njësoj si Edi Rama e qeveris vendin dhe krimin e organizuar. Përgjimet zyrtare të Prokurorisë nga dosja 339 nxjerrin në pah marrëdhënien e ngushtë të Vangjush Dakos me bandën e Avdylajve, trafikantë ndërkombëtarë droge nga Amerika Latine në Europë, të cilët i ka përdorur në fushatë për të blerë zgjedhjet. Përgjimet faktojnë gatishmërinë dhe garancinë e Vangjush Dakos për t’i mbaruar punë bandës”, tha ndër të tjera Spaho.

Sipas tij, mosarrestimi i Dakos tregon se Shqipëria nuk ka për të pasur drejtësi dhe as paqe sociale.

“Vangjush Dako duhet të arrestohet pa vonesë, çdo ditë në liri, ai shkatërron prova dhe manipulon dëshmitarët, i ndihmuar plotësisht nga kryeministri i vendit, Edi Rama. Mosarrestimi i Dakos është dëshmia më e qartë e kapjes së shtetit nga krimi i organizuar me mbështetje të organizatës kriminale të rilindjes të drejtuar nga Edi Rama. Mosarrestimi i Dakos është prova e shkatërrimit total të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Mosarrestimi i Dakos hedh në erë alibitë qesharake për suksesin e reformës në drejtësi. Ndodhemi para një momenti dramatik për fatin e drejtësisë dhe të vendit. Nuk mund të ketë as drejtësi dhe as paqe sociale kur arrestohen dhe mbahen në burg ata që protestojnë për bukën e gojës dhe bredhin të lirë politikanë kriminel si Vangjush Dako, vetëm pse gëzojnë mbështetjen e kryeministrit Edi Rama. Në Shqipëri nuk ka për të pasur as drejtësi, as luftë kundër krimit dhe asnjë zhvillim normal pa u ndëshkuar krimi elektoral që mban në pushtet qeverinë ilegjitime të Edi Ramës”, përfundoi Spaho.  


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë