Gazeta Si - Rozeta Dobi dhe djali i saj Havier Dobi, të arrestuar tre ditë më parë për vjedhjen e qindra mijë eurove në disa banesa, mes tyre edhe të zyrtares Alda Klosi, janë lënë në burg nga Gjykata e Tiranës.
I pari që hyri në kafazin e xhamit ishte 23-vjeçari Havier Dobi, i cili me pranga në duar qëndroi kokë ulur në karrige, ndërsa atletet i kishte pa lidhëse, për të parandaluar ndonjë akt vetëflijimi, pasi është shfaqur i tronditur psikologjikisht.
Vetëm pak sekonda më vonë, e shoqëruar nga policia, por pa pranga në duar, erdhi dhe 49-vjeçarja, nëna e tij.
Nënë e bir janë shfaqur kokulur gjatë seancës së kësaj të hëne në gjykatë dhe akuzohen se kanë vjedhur në total rreth 700 mijë euro nga disa banesa, ku 49-vjeçarja punonte si pastruese.
Teksa prisnin masën e sigurisë që u caktua nga gjykata, Rozeta është shfaqur duke lotuar, ndërsa djali i saj qëndroi i heshtur.
Banesa e grabitur më 15 dhjetor i përket Alda Klosit, e cila ka qenë drejtore e koncensioneve në Ministrinë e Ekonomisë drejtuar nga Arben Ahmetaj dhe më pas shefe kabineti e Ministrisë së Rindërtimit.
Në bashkëpunim me djalin e saj, Rozeta vidhte banesat duke shfrytëzuar momentin kur pronarët nuk ndodheshin aty, përmes çelësit që kishte kopjuar, teksa 23-vjeçari e priste jashtë shtëpive me makinë.
I biri i pastrueses reklamonte në rrjetet sociale jetën e tij të luksit, duke treguar para kesh, makina, varëse floriri e rroba të shtrenjta, por në rrethin e tij miqësor ai shprehej se makinat i kishte marrë me qira.
Ndërkohë sipas njoftimit të policisë, dy nga 3 makinat e tyre, rezultojnë se janë të blera nga paratë e vjedhura në këto banesa, në një hark kohor prej rreth 4 vitesh.
Ndërkohë, banesa e fundit e grabitur nga nënë e bir i përket ish-zyrtares së lartë në kryeministri, Alda Klosi, të cilës i janë marrë para dhe sende me vlerë që kapin shifrën prej 120 mijë eurove.
Banesa të cilën Klosi e kishte marrë me qira, është grabitur në muajin dhjetor, kur kjo e fundit ndodhej në Amerikë.
Do të jenë hetimet e mëtejshme të cilat do të zbulojnë, arsyen se përse Alda Klosi një punonjëse me rrogë shteti, kishte në shtëpi para cash të padepozituara në bankë.
Për momentin mbetet e paqartë nëse kjo shumë e konsiderueshme monetare vjedhur në shtëpinë e Alda Klosit ishte e deklaruar apo jo siç e kërkon ligji për nëpunësit civil.
Policia e Tiranës ka dyshime se Rozeta dhe Havier Dobi, janë të përfshirë në të paktën 4 grabitje të tjera.
Nga rikontrolli banesës të Rozeta dhe Havier Dobi paraditen e të Dilës policia thotë se në tubin e aspirarorit gjeti të fsheshur 404.800 euro dhe 8.500 dollarë.
Të dhënat e deritanishme nga hetimi, dyshojnë se Rozeta Dobi, krahas shtëpisë të Alda Klosit, kujdesej edhe për shtëpitë e disa zyrtarëve të tjerë të shtetit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.