Gazeta Si – Për rreth një orë, ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, zhvilloi një takim në ambientet e Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit, ku u takua me kreun e ri të SPAK, Altin Dumani.
Sipas burimeve paraprake, në takim ishin të pranishëm edhe 16 prokurorë të tjerë të Prokurorisë së Posaçme.
Takimi vjen tre javë pas emërimit të Altin Dumanit si kreu i SPAK dhe kjo është vizita e parë zyrtare e Kim në SPAK që prej 16 dhjetorit, ku mori pjesë edhe gjatë procesit të zgjedhjes së kreut të ri të këtij institucioni.



Pasdite Ambasada Amerikane njoftoi për takimi Kim-Dumani.
“Ambasadorja Yuri Kim u takua sot me Kreun e ri të SPAK, Altin Dumani, për ta uruar atë për postin e tij të ri drejtues. Ajo ritheksoi që Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin fort zbatimin e reformës në drejtësi, një kërkesë për aspiratat e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Në këtë drejtim dhe për të çuar përpara jetësimin e faktit që Presidenti Biden e ka identifikuar luftën kundër korrupsionit si interes thelbësor të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, ne do të mbështesim plotësisht prokurorët dhe hetuesit e SPAK teksa ndërtojnë mbi sukseset e deritanishme dhe intensifikojnë ndjekjen penale të korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar, në përputhje me ligjin, pa frikë apo favore. Askush nuk është mbi ligjin”, thuhet në njoftimin e ambasadës së SHBA.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




