Temperaturat për muajin janar kanë arritur një nivel të lartë historik në të gjithë Europën.
Në Varshavë ishin temperaturat 18.9 gradë Celsius ndërsa në Spanjë ishin 25 gradë Celsius, më shumë se 10 gradë mbi mesataren.
Moti i butë europian vjen pasi Amerika e Veriut përballet me stuhi më të forta, disa ditë pas një periudhë të ftohti ku vdiqën 60 vetë.
Ndërkohë temperaturat në Holandë, Lihtenshtajn, Lituani, Letoni, Republikën Çeke, Poloni, Danimarkë dhe Bjellorusi thyen rekordet kombëtare.
Rekordet u thyen edhe në Gjermani, Francë dhe Ukrainë.
Temperatura e regjistruar në Varshavë më 1 janar ishte 4 gradë më e lartë se rekordi i mëparshëm për muajin dhe rekordi i lartë i Bjellorusisë ishte 16.4 gradë, rreth 4.5 gradë mbi rekordin e mëparshëm.
Në Spanjë, temperaturat e Ditës së Vitit të Ri në Bilbao ishin ekuivalente me mesataren e korrikut.
Në Zvicër, temperaturat kanë arritur në 20 gradë Celsius dhe moti i ngrohtë ka ndikuar në vendpushimet e skive në të gjithë Alpet, të cilat kanë pasur mungesë bore.
Vetëm disa ditë më parë, Britania e Madhe, Irlanda, Franca dhe Spanja e shpallën vitin 2022 vitin e tyre më të nxehtë në histori.
Në Mbretërinë e Bashkuar, çdo muaj përveç dhjetorit ishte më i nxehtë se mesatarja. Vetë dhjetori pati rënie të borës në pjesë të mëdha të vendit, megjithëse kushtet tani janë më të buta dhe më të lagështa.
Valët e të nxehtit janë bërë më të shpeshta, më intensive dhe zgjasin më gjatë për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njerëzit.
Megjithatë, ngjarjet e dimrit si këto nuk kanë të njëjtin ndikim si valët e të nxehtit të verës, të cilat mund të rezultojnë në një numër të madh vdekjesh.
Bota tashmë është ngrohur me rreth 1.1 gradë Celsius që nga fillimi i epokës industriale dhe temperaturat do të vazhdojnë të rriten nëse qeveritë në mbarë botën nuk bëjnë shkurtime të mëdha të emetimeve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




