Drejtësia

Zyrtarja e AKSHI-t që do të trafikonte drogë në Maqedoni mbetet në qeli

Gazeta Si - Punonjësja e AKSHI-t, Erisa Fero, e arrestuar 2 ditë më parë në një tentativë për të trafikuar 58 kilogramë kanabis drejt Maqedonisë së Veriut, do të qëndrojë në burg.

Gjykata e Pogradecit vendosi këtë të premte të njëjtën masë sigurie edhe për dy bashkëpunëtorët e saj, Likmet Basha dhe një 17-vjeçar të arrestuar në këtë operacion. Prokuroria i akuzon ata për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Gjatë operacionit të koduar “Restart”, 28-vjeçarja dhe dy bashkëpunëtorët e saj u ndaluan nga Policia e Korçës në zonën e Linit në Pogradec. Në kërkim për këtë rrjet të trafikut janë shpallur edhe 2 persona të tjerë.

Erisa Fero, 28 vjeçe, punonjëse e Agjencisë Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, bënte një jetë luksi, duke publikuar foto dhe video të ndryshme në rrjetet sociale.

Përveç pasqyrimit të lajmit për kapjen e sasisë së drogës që kishte destinacion Maqedoninë e Veriut, ajo ka tërhequr edhe vëmendjen e mediave greke, të cilat sjellin në vëmendje edhe postimet e 28-vjeçares.

Një prej tyre është fotoja ku ajo shfaqej me puro. Ndërsa në një tjetër postim ajo shfaqet duke qëlluar me armë në një poligon. Mediat nuk lenë pa përkthyer as përshkrimin që ajo i bën videos, ku shkruan: “Kështu është kur të rrit gjyshi me raki dhe kallash”.

Një vit më parë Fero dhe 20 komisionerë zgjedhorë janë paditur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në prokurorinë e Tiranës për manipulim të votave në zgjedhjet e 25 prillit 2021. KQZ konstatoi se në komisionin numërues, ku bënte pjesë ajo, rezultati u falsifikua

Ndërkohë, me anë të një deklarate, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, njoftoi se kishte nisur procedurat për shkarkimin e 28-vjeçares me detyrë specialiste pranë sektorit përkatës të e-Albania.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë