Shqiptarët e Luginës së Preshevës votojnë këtë të diel në zgjedhjet për Këshillin Nacional të Shqiptarëve në Serbi. Ky Këshill ka një rëndësi të veçantë në avancimin e të drejtave të shqiptarëve në arsim, kulturë dhe përdorimin e simboleve kombëtare.
Në garë janë gjashtë kandidatë, ku pesë mbërrijnë nga partitë politike dhe një që është i shoqërisë civile në Medvegjë. Arbër Pajaziti, Sali Salihu, Sami Salihu, Enver Mehmeti dhe Ragmi Mustafa janë pesë kandidatët e forcave politike.
Rreth 36 mijë votues do të vendosin se cili prej këtyre emrave do të udhëheqi Këshillin Nacional Shqiptar në Serbi. Do të votohet gjithashtu edhe për anëtarësinë e këtij Këshilli, ku në garë janë po gjashtë lista emërore për 15 vende anëtare.
Mesohet se ne regjistrin e veçantë zgjedhor për KKSH janë të regjistruar më shumë 1.800 votues të rinj nga komuna e Preshevës, 1000 nga komuna e Bujanocit dhe 90 nga komuna e Medvegjës, të cilët këtë vit për herë të parë kanë të drejtë për të votuar në zgjedhje për Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve, thotë agjencia e lajmeve “Presheva Jonë”
Prioritet i subjekteve shqiptare në garën zgjedhore duhet të jenë; arsimi, zhvillimi ekonomik, kultura, informimi, gjuha dhe simbolet kombëtare.
Zbërthimi një nga një i prioriteteve të sipërpërmendura e qartëson akoma më tepër rëndësinë e këtij procesi zgjedhor. Këshilli është një institucion i themeluar në vitin 2010 për të mbrojtur dhe avancuar të drejtat e shqiptarëve në fushën e arsimit, kulturës, informimit, përdorimit të simboleve kombëtare dhe përdorimit te shkrimit e gjuhës shqipe.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.