Prokuroria ka kohë 30 ditë për të plotësuar dosjen në ngarkim të Ervis Martinajt në lidhje me ngjarjen e ish-Bllokut. Gjyqtari Artan Gjermeni ka vendosur këtë të dielë masën e sigurisë arrest me burg për një muaj për 36-vjeçarin dhe refuzoi dy provat e paraqitura nga ana e organit të akuzës.
Gjyqtari i vlerësoi si të pavlefshme gjurmët e barutit në duart e Martinajt dhe komunikimet në aplikacionin Telegram, ku sipas Prokurorisë ai u kërkonte shokëve që të paraqiteshin me armë në lokal.
Sipas gjykatës, prokuroria ka gabuar në ekspertizën e parë kur arriti në përfundimin se në duart e të pandehurit kishte gjurmë baruti, çka do të thotë se ai ka qenë pjesë e shkëmbimit të zjarrit. Gjyqtari thotë se në ekspertimin e dytë, prokurorët nuk gjetën gjurmë baruti.
Po ashtu, gjykata rrëzoi edhe pretendimin tjetër të Prokurorisë, bisedat në Telegram. Sipas gjyqtarit Artan Gjermeni, numri i telefonit nuk korrespondon me aparatin celular të Martinajt.
Avokatët e 36-vjeçarit nga ana tjetër, kërkuan lirimin e klientit të tyre, ndërsa Prokuroria kërkoi me ngulm masën e sigurisë “arrest me burg” duke e argumentuar këtë kërkesë me faktin se Ervis Martinaj zotëron një pasaportë të Kosovës dhe mund të arratiset.
Ervis Martinaj mbeti i plagosur gjatë përplasjes me armë të 4 tetorit në lokalin “Monopol”, ku mbeti i vrarë shtetasi Fabiol Gaxha dhe u plagosën edhe një tjetër. Për këtë ngjarje është shpallur në kërkim edhe Meviol Billo, pjesëtar i forcave speciale të ushtrisë shqiptare.
Ndërkohë, ndaj Ervis Martinajt Prokuroria për Krimet e Rënda ka nisur një tjetër hetim, këtë herë pasuror. Konkretisht bëhet fjalë për dyshimet e evazionit fiskal dhe për organizim të paligjshëm të lojrave të fatit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




