Motosport

Red Bull, urime ‘të hidhura’ festash për rivalët e Mercedesit dhe Ferrarit!

Gazeta Si – Festat e fundvitit me shigjetat e radhës kundër rivalëve të Ferrarit dhe Mercedesit. Edhe 2022-shi është një vit që duhet mbajtur mend për Red Bull-in. Dominim për pilotët dhe konstruktorët në Botëror, i mbyllur me titullin e Maks Vershtapen, me 146 pikë më shumë se F1-75 i Sharl Leklerk.

Dy triumfe që janë rikujtuar në karikaturën e zakonshme të Krishtlindjeve, ku edhe këtë herë, ashtu si vitin e kaluar, nuk ka munguar sulmi i drejtpërdrejtë ndaj rivalëve.

Në imazhin e vizatuar janë të pranishëm drejtuesit e skuderisë anglo-austriake — Kristian Horner, Helmut Marko dhe Adrian Njuei, – përveç Babagjyshit, me një gjel deti në duar dhe fjalinë: “Mund t’ju bëjë ta kaloni buxhetin”.

Një referim i qartë auto-ironik për sanksionet e FIA-s në lidhje me tejkalimin e ‘budget cap’. Po të shohësh më poshtë majtas, pranë një Vershtapeni dhe një Serxho Perezi në versionin fëmijë, dallohet një kuti kartoni e hapur, ku shkruhet “Lodra të padëshiruara”. Që janë Mercedes W13 dhe Ferrari F1-75.

Për të parën theksohet problemi i njohur i ‘porpoising’, që e ka torturuar skduerinë gjermane thuasje në të gjitha garat e sezonit. Për të dytën evidentohen problemet e qëndrueshmërisë që u vunë re në Barcelonë, Baku dhe Austri.

Për Maranelon tallja nuk i përket vetëm makinës. Në kutinë e dhuratave të padëshiruara në Milton Keynes, është edhe libri i strategjisë së Ferrarit. Një shigjetë e fortë për bokset e Ferrarit, protagonist të sezonit me gabimet në Montekarlo, Silverston dhe Hungari.

Nuk mjafton me kaq. Edhe një detaj për të kuptuar thumbimin e karikaturës: parullat “zero porpoising” dhe “simply lovely strategy” (strategji thjesht e admiruar), që shfaqen mbi kutinë e RB18 lodër dhe poshtë trofeut të Spa. Si për t’i hedhur pak piper tavolinës pak më shumë se dy muaj nga fillimi i sezonit të ri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë