Njerez

Marrëveshja Shqipëri-Britani, më shumë se 40 emigrantë kthehen në Rinas

Më shumë se 40 emigrantë shqiptarë që u përpoqën të hynin në Britani me varkë, janë kthyer pasi janë dëbuar nga Britania e Madhe.

Daily Mail shkruan se ditën e enjte u ul në Aeroportin e Nënë Terezës një avion me 42 emigrantë që u larguan nga Britania.

“Ndër to janë 32 persona që janë të dënuar në total me 89 vite burg për vepra të ndryshme si furnizues droge dhe trafikantë emigrantësh”, shkruan Daily Mail.

Të tjerët ishin azilkërkues që u ishte refuzuar qëndrimi apo që kishin kaluar afatin e qëndrimit.

Emigrantët u shoqëruan nga oficerët britanikë të Emigracionit dhe pasi mbërritën në Tiranë u pritën nga policia shqiptare.

Sipas Daily Mail, ky mund të jetë fluturimi i katërt në pak më shumë se një muaj.

Këto largime vijnë pasi Kryeministri Rishi Sunak u zotua të largonte emigrantët nga vendi.

Ai zbuloi një plan me pesë pika për të trajtuar krizën e kalimit të Kanalit javën e kaluar, duke përfshirë një sërë masash për emigrantët shqiptarë.

Më shumë se 13.000 shqiptarë kanë mbërritur në Britani me varka të vogla që nga fillimi i vitit.

Ata tani përbëjnë rreth një në tre mbërritje nëpërmjet Kanalit, pavarësisht se vendi ynë është cilësuar nga Britania si një vend i sigurt.

Një burim i Home Office tha se personat janë kthyer aty ku e kanë vendin.

Momente nga zbritja e emigrantëve të kther në Shqipëri.

“Ata kryen krime të rënda në Britani dhe për këtë arsye nuk kanë të drejtë të qëndrojnë këtu. Qeveria nuk kërkon falje për largimin e tyre. Ne do të vazhdojmë të godasim kriminelët e huaj dhe ata që nuk duhet të jenë më këtu”, tha për Daily Mail burimi.

Veprat e kryera nga 32 kriminelët në bordin e fluturimit përfshinin mbajtjen e një arme, vjedhje, prodhimin dhe furnizimin e drogës dhe posedimin e një dokumenti të rremë emigracioni.

Javën e kaluar, Sunak këmbënguli se Shqipëria është një ‘vend europian i sigurt dhe i begatë’ dhe shtoi se “Kryeministri i Shqipërisë ka thënë vetë se nuk ka asnjë arsye pse ne nuk mund t’i kthejmë menjëherë azilkërkuesit shqiptarë”.

“Kthimi i shqiptarëve do të bëhet më i lehtë pasi Tirana i dha Britanisë së Madhe ‘garanci formale’ se do të ‘mbronin viktimat e vërteta dhe njerëzit në rrezik të ritrafikimit”, tha Sunak.

Sunak tha se do të vazhdojnë fluturimet javore derisa të gjithë shqiptarët të largohen nga Britania.

Javën e kaluar, zyrtarët e Home Office thanë se numri i mbërritjeve me varka të vogla shqiptare ka rënë ‘mjaft ndjeshëm’ në javët e fundit por Home Office po përgatitet për një rritje tjetër.

Zyrtarët presin që shifrat të rriten sërish në pranverë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë