Gazeta Si – Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit ka futur në rregulloren e re sportive një rregull, që parashikon ndalimin e deklaratave apo komenteve me sfond politik. Politikat e FIA-s kanë në princip neutralitetin.
Ndal mesazheve politike nga ana e pilotëve gjatë fundjavave të garave të Formulës 1. Të paktën, nëse këto mesazhe apo sllogane nuk kanë marrë miratimin e FIA-s. Kjo është risia e fundit në rregulloren e kodit sportiv, që duhet respektuar në të gjitha kompeticionet duke nisur që prej janarit të 2023-shit.

Rregulli i ri parashikon sanksione për ata që “ekspozojnë, përhapin apo bëjnë deklarata e komente politike, fetare dhe personale, sepse thyejnë principin e neutralitetit të statutit të FIA-s”.
Një zëdhënës i organizmit që drejton Formulën 1 ka specifikuar se bëhet fjalë për një azhornim të statutit në linjë me neutralitetin politik të sportit, si princip etik, thelbësor dhe universal të Lëvizjes Olimpike, sipas Kodit Etik të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (CIO).
Nuk do të shihen më episode të ngjashme me ato të Ljuis Hemilton, që pas një gare të fituar u ngjit në pod me një fanellë, ku kishte shkruar: “Arrestoni policët që vranë Breonna Taylor”.
Por edhe mesazhe si ato të Sebastian Fetel, që nuk hoqi fanellën “Same love” gjatë garës së Hungarisë 2021. Ai po ashtu u paraqit me këpucë ylber në pistë, duke protestuar kundër ligjit anti-Lgbt të kryeministrit hungarez Viktor Orban.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




