Gazeta Si – Kandidati tjetër për drejtimin e SPAK, Altin Dumani, duke folur para KLP, u shpreh se beson se suksesi varet nga bashkëpunimi cilësor dhe institucional, por edhe nga integriteti profesional i çdo anëtari të SPAK.
Teksa ka bërë një prezantim të karrierës së tij, Dumani tha se nuk e sheh SPAK si një vend pune, por si një mision.
“Besoj se suksesi varet nga bashkëpunimi cilësor dhe institucional, si edhe nga integriteti profesional i çdo anëtari të SPAK dhe i institucionit në tërësi. Është pak vështirë të flasësh për veten. Ne si prokurore jemi të kursyer kur flasim për veten.
Me një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë, Dumani, ka punuar edhe në atë që dikur ishte Prokuroria për Krimet e Rënda.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të anëtarëve të KLP, ai foli për punën e bërë nga të dyja këto institucione, ndërsa veçoi se ndryshe nga Krimet e Rënda, “SPAK heton edhe korrupsionin”.
Pikërisht duke u ndalur tek kjo e fundit, Dumani tha se ajo që e bën më të vështirë hetimin e kësaj vepre penale është fakti se kryhet nga persona që kanë njohuri për ligjin dhe përpiqen të mos lenë gjurmë.
“Kam filluar punë në ’99. Karriera ime ka njohur progres. Kam filluar si OPGJ në Sarandë. Më pas drejtues në prokurorinë e Tropojës, rreth shumë i vështirë. Më pas në Tiranë dhe kur u formuan Krimet e Rënda u bëra pjesë e saj. 9 muaj më vonë u bëra zv.drejtues. Në qershor 2007 drejtova Task-Forcë në prokurorinë e Tiranës. Në vijim isha 8 vjet në prokurorinë e Apelit Tiranë. Ju përgjigja thirrjes për të aplikuar për në SPAK. Ndërkohë jam pjesë e saj prej tre vjetësh. Nuk e shoh SPAK si një vend pune, por si një mision. Është i vështirë, por të tillë e kam parë dhe këtë frymë kam përçuar edhe tek bashkëpunëtorët e mi”, tha Dumani.



Por pse është i motivuar për këtë garë?
“Ndihem shumë i motivuar për të garuar për këtë funksion, pasi nëse më jepet mundësia për të drejtuar këtë institucion, do të kem në fokus ndërtimin e një strukture të aftë për të luftuar korrupsionin. Unë besoj se suksesi bazohet nga bashkëpunimi, nga puna në grup, nga autonomia dhe nga integriteti i çdo anëtari të Gjykatës së Posaçme.
Jam përpjekur që në këto 3 vjet të jap angazhimin maksimal. Garancia më e madhe e krijimit të një prokurorie të suksesshme është bilanci që unë kam këto tre vite. Megjithëse kam mbajtur postin e zëvendëskryetarit unë kam marrë një numër të plotë çështjesh për hetim”, shtoi ai.
Ai tha se në rast se konstaton paligjshmëri në hetime do i drejtohet ILD sipas kompetencave të përcaktuara nga ligji.
Dumani tha se ka shenja si dhe indicie se është e aftë që të përballet me krimin e organizuar si dhe zyrtarë të nivelit të lartë.
“Të arrish në përfundim për një institucion që ka 3 vite punë është shumë shpejt. Duhet të marrësh në konsideratë edhe rrethanat që e kanë shoqëruar për këto vite. Një vit kemi punuar pa zyra. Vitet e punës së SPAK kanë krijuar një bazë të mirë për të krijuar një luftë më agresive dhe e them këtë me fakte. Kjo prokurori e posaçme megjithëse në kushte të vështira pak penalizuar gjyqtarë të nivelit të lartë dhe prokurorisë si dhe grupe të krimit të organizuar që para tre vitesh as nuk mendohej se mund të ndëshkoheshin. Ka dhënë shenja indicie se është e aftë të përballet, pavarësisht nivelit të zyrtarit që kemi përballë, apo organizatës kriminale. Është në gjendje ta bëj ndryshimin. Ju thash është mision. Unë kam në mendjen time gjëra tjera, pro duhet marrë në konsideratë të gjitha. Kemi një prokuroi të plotë”, – theksoi prokurori.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




