Drejtësia

Video/ Gara për kreun e SPAK, prokurori Adnan Xholi: Luftë pa kompromis korrupsionit dhe krimit organizuar

Gazeta Si – Në platformën e tij para KLP-së gjatë seancës për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK, kandidati Adnan Xholi u shpreh se prioriteti i tij duhet të jetë goditja e korrupsionit të zyrtarëve.

Anëtarja e KLP-së Nurihan Seiti iu drejtua me një pyetje të drejtëpërdrejtë Xholit, duke i kërkuar se kur do të vihen para drejtësisë fajtorët e këtyre 30 viteve të fundit, të dyshuar për korrupsion.

Në përgjigje, Xholi tha se nuk mund të arrestohen njerëzit me fjalë dhe as të nxitur nga politika, por duhen prova dhe fakte.

“Nëse do të kemi prova të tilla që vënë para dyshimeve të arsyeshme se një zyrtar i lartë është i përfshirë në aktivitet kriminal nuk do i shpëtojë kthetrave të BKH-së pa vajtur para asaj godine por jo me opinione e fjalë boshe. Prandaj janë strukturat që të mbledhin prova të pakundërshtueshme në kohë reale dhe sa më cilësore prandaj struktura e posacme antikorrupsion është krijuar për të goditur korrupsionin e zyrtarëve të nivelit ë lartë dhe terrorizmin”, – tha ai.

Përpara pyetjes se cila është pika e tij të dobët ndaj vetes dhe Prokurorisë së Posaçme, të cilat duhet t’i përmirësojë, ai u shpreh se për shkak të përvojës disavjeçare si prokuror, ajo është skepticizmi.

Ndërsa i pyetur se cila është pika e tij më e fortë, ai tha se është bashkëpunimi me kolegët dhe me institucionet e tjera ligjzbatuese.

Ai premton se “do të rrisë shpejtësinë në kryerjen e hetimeve dhe vendimmarrjet përkatëse” nëse zgjidhet kreu i SAPK-ut.

“Synoj të rris në mënyrë cilësore hetimet që po zhvillohen nga SPAK dhe të bëhen në një kohë sa më të shkurtër”.

“Plotësoj kriteret e KLP-së për t’u ngritur në detyrën e drejtuesit, me bindjen se kam aftësinë për të drejtuar SPAK. Nuk kam asnjë konflikt interesi me ndonjë nga anëtarët e KLP, – tha ai. – Kush godet krimin dhe korrupsionin, do të ketë mbështetjen time si drejtues”.

Me një karrierë 24 vjeçare prej të cilave 13 vite në drejtimin e prokurorisë së Gjirokastrës, Xholi ka një eksperiencë drejtuese mbi 13 vite.

Ai ka eksperiencë në hetimin e çështjeve të krimit të organizuar, korrupsionit dhe hetimit të aseteve. Eksperiencë në skuadrat e përbashkëta hetimore, në fushë akademike.

Ka qenë pjesë e grupit të punës për ndryshimet të legjislacionit të paketës së reformës së sistemit të drejtësisë.

“Në prokurorinë e rrethit gjyqësor në Gjirokastër kam mbajtur peshën kryesore në çështje sensitive që kishin të bënin me vrasje, rrëmbime e trafiqeve të personave. Kam angazhuar e drejtuar të gjithë trupën e prokurorëve dhe oficerëve gjyqësor present në ngjarje të rënda kriminale.

Pjesë e grupeve të hetimit për ngjarje të rënda kriminale të 1997. Prokuror që kam hetuar dhe përfaqësuar akuzat në gjykim për masakra të rënda. Janë rifilluar hetime pas 10 viteve. Është bërë e mundur që të mblidheshin prova dhe ndër më kryesore ka qenë përdorimi I bashkëpunëtorëve të parë të drejtësisë.

Prokuror që kam përfaqësuar disa çështje në hetimet paralele për trafik ndërkombëtar. Janë identifikuar dërguar para drejtësisë autorët shqiptarë.

Si prokurori i SPAK e kam të pamundur të bëj para jush me dije çështjet sensivitive që kam në hetim por jam prokurori që më ka rastisur të jem në hetimin e skuadrës së parë të përbashkët hetimore mes republikës së Shqipërisë dhe Francës”, – vijoi Xholi.

Gjatë fjalës së tij, Xholi tha se duhet të kemi hetime konkrete dhe rezultate të shpejta duke u bazuar gjithmonë në prova për tu përballur me publikun.

“Kam mbi 24 vite eksperiencë, karriera ka pasur rritje të vazhdueshme. E kam nisur nga roli bazë deri në ngjitjen e shkallëve të karrierës. Drejtuesi duhet të ketë në vëmendje hetimet për zyrtarët e lartë dhe krimin e organizuar. Përveç kësaj drejtuesi duhet të jetë pjesë e grupit të hetimit. Drejtuesi duhet të japë kontributin e tij edhe në Gjykatën e Lartë sa i takon vendimeve unifikuese”.

Sipas tij, “drejtuesi ka rolin që tërheq të gjithë trupën në një betejë. Çdo lloj prokurori i Prokurorisë së Posaçme duke respektuar ligjin dhe Kushtetutën do ketë mbështetjen time. Unë do vë në dispozicion të gjithë bagazhin tim dhe eksperiencën drejtuese për mbi 13 vite si drejtues, në hetimin e çështjeve të krimit të organizuar dhe korrupsionit”.

Xholi tha se ka filluar punë në prokurori nga roli bazë duke ngjitur të gjitha shkallët e karrierës deri në hierarkinë e prokurorisë shqiptare. Ai ka përfunduar studimet në Tiranë për drejtësi në vitin 1997.

Pas përfundimit të studimeve është titulluar si OPGJ në Tepelenë dhe nga viti 1999 deri në vitin 2004 ka qenë zv/drejtues dhe drejtues i Prokurorisë Gjirokastër.

Nga Janari i 2004 me krijimin e ish-Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka qenë prokuror dhe njëfarë kohe drejtues i Prokurorisë për Krime të rënda, deri në muajin maj 2013.

Nga maj 2013 deri në korrik 2021 ka qenë prokuror dhe drejtor i disa drejtorive pranë Prokurorisë së Përgjithshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë