Njerez

Plan me 5 pika për ndalimin e emigrantëve shqiptarë, 400 oficerë britanikë do të vendosen në aeroportin e Rinasit

Gazeta Si – Një plan prej 5 pikash kundër emigrimit të paligjshëm në Britani të Madhe, përfshin edhe bashkëpunimin me autoritetet shqiptare.

Kryeministri britanik Rishi Sunak ka premtuar të sjellë ligje të reja për të trajtuar emigracionin e paligjshëm.

Sipas tij, kushdo që vjen në Mbretërinë e Bashkuar ilegalisht nuk do të lejohet të qëndrojë.

Ai konfirmoi gjithashtu një marrëveshje me Shqipërinë për çështjen e emigrantëve, ku një njësi britanike do të instalohet në aeroportin e Rinasit për të “selektuar” individët.

Në fjalën e tij në Dhomën e Komunëve, Sunak thotë se pothuajse një e treta e azilkërkuesve janë nga Shqipëria, por shton se është një vend i sigurt dhe i begatë.

Sunak flet për një marrëveshje me Shqipërinë ku do të bashkëpunojnë me oficerë të Forcave Kufitare në Aeroportin e Tiranës, që të bëjnë të mundur për të “selektojnë” se kush është viktimë e skllavërisë moderne dhe kush gënjen.

Për këtë do të ngrihet një njësi e re e dedikuar për trajtimin e kërkesave të shqiptarëve për azil. Kjo njësi e re do të ketë në përbërje të saj 400 specialistë.

“Do të ndryshojmë mënyrën se si do të përpunojmë migrantët e paligjshëm shqiptarë, me një njësi të re të dedikuar që përshpejton çështjet brenda javësh, me 400 specialistë të rinj. Gjatë muajve të ardhshëm mijëra shqiptarë do të kthehen në shtëpi. Dhe ne do të vazhdojmë me fluturime javore derisa të gjithë shqiptarët të jenë larguar”, tha Sunak.

Kryeministri britanik paralajmëroi se përgjatë muajve në vijim me mijëra shqiptarë do të rikthehen në vendlindjen e tyre.

“Pjesa më e madhe e pretendimeve nga shqiptarët mund të klasifikohen thjesht të pabazuara dhe ata individë mund të kthehen me shpejtësi në vendin e tyre”, – vijoi ai.

Siç shkruan Reuters, numri i shqiptarëve që mbërrijnë në Angli përtej Kanalit është rritur në dy vitet e fundit.

Shifrat e qeverisë britanike tregojnë se shqiptarët përbëjnë numrin më të madh të njerëzve që vijnë nga kjo rrugë.

Sunak tha se në fillim të vitit të ardhshëm qeveria do të prezantojë legjislacionin, i cili do të ndalojë emigrantët që kalojnë Kanalin Anglez për të qëndruar në Britani.

“Nëse hyni ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar, nuk duhet të jeni në gjendje të qëndroni këtu”, – tha Sunak në parlamentin britanik.

Çështja e emigrantëve që mbërrijnë me varka të vogla nga Franca përmes kanalit të L Manshit, është një prej temave kryesore politike për qeverinë konservatore.

Sipas shtypit britanik, të paktën 12 mijë shqiptarë kanë hyrë në ishull këtë vit në mënyrë të paligjshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë