Lajme

Ndryshimi i emrit, Zaev siguron votat për ndryshimet Kushtetuese

Në Maqedoni, qeveria e Shkupit ka siguruar dy të tretat e nevojshme në Kuvend për votimin edhe të fazës së dytë dhe të tretë të ndryshimeve Kushtetuese, të domosdoshme për zbatimin e marrëveshjes së emrit me Greqinë.

Ditën e sotme, Parlamenti ka hartuar amendamentet kushtetuese pas bisedimeve që ka pasur kryeministri Zoran Zaev me grupin e ri parlamentar, apo 8 deputetët e përjashtuar nga VMRO DPMNE-ja, të cilët votuan pro kësaj nisme pak javë më parë.

Arritjen e marrëveshjes me këtë grup të deputetëve, disa prej të cilëve po gjykohen për vepra të rënda për dhunën e 27 prillit në Kuvend, e disa të tjerë janë nën hetime, e ka konfirmuar edhe kryeministri Zoran Zaev.

“Për mua ky proces është shumë i rëndësishëm, për herë të parë janë siguruar dy të tretat për çështje kaq të rëndësishme, siç është Kushtetuta. Më vjen mirë që nëpërmjet procesit të pajtimit gjetëm gjuhë të përbashkët edhe me deputetë të tjerë. Unë besoj se qëndrimi i tyre për të mbështetur ndryshimet në fazën e parë, tani do të arsyetohet me heqjen e të gjitha dilemave sa i përket identitetit tonë”, ka deklaruar Zaev, duke theksuar bindjen e tij për të vazhduar me zbatimin e marrëveshjes me Greqinë dhe arritjen e synimit për integrimin e vendit në NATO dhe BE. Ai ka bërë të ditur edhe vendimin që pjesë e preambulës të jetë edhe Marrëveshja e Ohrit.

Ndryshimet kushtetuese duhet të miratohen sipas qeverisë deri në mes të muajit janar të vitit të ardhshëm, në mënyrë që të vijohet me procedurat e tjera: nënshkrimi i protokollit me NATO-n dhe ratifikimi i marrëveshjes për emrin edhe në Parlamentin e Greqisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë