Gazeta Si - Serbia vendosi të bojkotojë samtin BE-Ballkani Perëndimor që do të zhvillohet më 6 dhjetor në Tiranë.
Sipas presidentit Aleksandër Vuçiç, një gjë e tillë vjen pas reagimit të butë të BE-së ndaj emërimit në Kosovë të Nenad Rashiç, në postin e ministrit për Kthim dhe Komunitete.
“Më mirë të mos jem sesa t’ua dorëzoj në duar. Dhe nuk do t’ua dorëzoj. Askush nga Serbia nuk do të jetë në Tiranë me 6 dhjetor për shkak të reagimit të butë të Bashkimit Europian. Jo vetëm që i kanë shkelur të gjitha normat e marrëveshjes së Brukselit, por edhe të gjitha normat e së drejtës ndërkombëtare”, tha Aleksandër Vuçiç
Vuçiç iu referua një deklarate të zëdhënësit të BE-së për mediat serbe i cili tha se, “është me rëndësi thelbësore që emërimet e ministrave të bëhen në pajtim më Kushtetutën e Kosovës. Në rastin konkret i bëjmë thirrje Kosovës të sigurohet që janë përmbushur të gjithë hapat procedural për emërimin e ministrit që përfaqëson bashkësitë jo shumicë”.
Emërimi i ministrit Rashiç u bë më pak se një muaj pas dorëheqjes se ish ministrit Goran Rakiç nga radhët e Listës Serbe.
Dorëheqja pasoi protestën e përfaqësuesve serbë në veriun e Kosovës me vendimin e qeverisë qendrore për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia.
Më 23 nëntor Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje lidhur me përdorimin e targave të makinave që çoi në uljen e tensioneve në veriun e Kosovës, por jo kthimin e punonjësve serbë në institucione.
Kryeministri Albin Kurti tha të mërkurën se largimi i serbëve nga institucionet ishte vendim politik dhe se kthimi i tyre duhet të bëhet në rrugë ligjore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.